RTSH Sport Live

Mundja dhe turneu ndërkombëtar “Muhamet Malo”

  • 12/05/2022
  • |
  • Evente Sportive
Mundja dhe turneu ndërkombëtar “Muhamet Malo”
10 shtete pjesëmarrëse dhe 92 sportistë në stilin e lirë dhe atë klasik

“Muhamet Malo” do të përkujtohet përsëri nga mundja shqiptare, jo vetëm si ish-presidenti i kësaj Federate, apo si President Nderi i saj, por dhe si njeri bamirës dhe me shpirtin e gjerë për të gjithë. Pikërisht të premten e të shtunën salla olimpike “Feti Borova” do të gjallërohet nga mundësit e stilit të lirë dhe klasik në turneun ndërkombëtar “Muhamet Malo”.

Ky është edicioni i dytë i këtij turneu, që për herë të parë është zhvilluar në maj 2019 me pjesëmarrjen e mundësve të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Por këtë herë ka një pjesëmarrje më të gjerë, sepse bëhet fjalë për pjesëmarrjen e dhjetë shteteve, të cilët në tapet do të sjellin 92 mundës. Italia vjen me 21 mundësa, 10 stil i lirë dhe 11 në stilin klasik. Më pas Britania e Madhe me 8 mundësa në stilin e lirë.

Bullgaria me shtatë mundësa në stilin klasik, apo Greko-Romak. Malta me tre mundësa në stilin e lirë. Rumania do të përfaqësohet me shtatë mundësa, tre në stilin e lirë dhe katër në atë klasik. Maqedonia e Veriut me dhjetë mundësa në stilin e lirë. Austria vetëm me një mundës në stilin e lirë. Kosova me tre mundësa në stilin e lirë e Azerbajxhani me dy mundësa në stilin e lirë. Përfaqësimi më i gjerë i takon Shqipërisë si vendi mikpritës me plot 30 sportistë, 12 në stilin e lirë dhe 18 në stilin klasik.

Dhe sigurisht që priten dhe medalje nga Bajram Sina, Kevin Kupi, Paris Karepi, Eriglend Prizreni, Islam Dudaev, që ishte medalist i bronztë në Kampionatin Europian të Budapestit, Zelimkan Abakarovi etj. Dhe ky turne duket se do të jetë edhe si një provë gjenerale në sytë e ndërkombëtarëve, ndërsa Shqipëria në qershor 2023 do të zhvillojë Kampionatin Europian të moshës deri në 17 vjeç.

Dhe ky turne do të jetë dhe në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar me transmetimet të premten dhe të shtunën, paradite në ora 10:30-14:30 dhe pasdite në ora 17:30-20:30. Pra gjithçka gati për turneun ndërkombëtar “Muhamet Malo” në mundje.