RTSH Sport Live

Muriqi: Gabova me Lacion, ja çfarë më tha Sarri

  • 23/11/2022
  • |
  • Kosova
Muriqi: Gabova me Lacion, ja çfarë më tha Sarri
Ka shpërthyer me Majorkën(8 gola në 12 ndeshje të Ligës), sulmuesi flet për vitet e vështira në Romë

Vedat Muriqi, sulmuesi i Mallorcas, është rikthyer të flasë për aventurën e tij të komplikuar te Lazio. “Në Mallorca ndihem shumë mirë. Ata besojnë në mua dhe kjo më ka lejuar të vendosem mirë dhe të bëj debutimin tim në mënyrën më të mirë. Shpresoj të vazhdoj kështu. Kisha marrë shumë oferta, por kur fola me Taren dhe menaxherin tim, kuptova se Mallorca do të ishte alternativa më e mirë për mua”.

AVENTURA TE LAZIO – “Para së gjithash ishte Immobile, një sulmues i jashtëzakonshëm që vendosi rekorde të reja dhe kjo gjë padyshim që ma vështirësoi gjetjen e hapësirës. Mbërrita i dëmtuar, kisha Covid dhe kalimi nga kampionati turk në Serinë A ishte një ndikim shumë i vështirë. Në Itali niveli është shumë më i lartë. Nuk isha i përgatitur fizikisht dhe vitin e parë u futa në vështirësi pavarësisht se kisha shumë kohë për të luajtur dhe mundësi për t'u dukur”.

“Pra, ishte gabimi im dhe i askujt tjetër. Në vitin e dytë me Sarrin bëra një përgatitje të shkëlqyer, por nuk isha lloji i lojtarit që i përshtatej lojës së tij dhe ai më tha qartë. Viti i parë? Caicedo shënoi shumë gola, shpesh vendimtarë në minutat e fundit. Më kujtohen ato me Torinon kur fituam në finale dhe Juventusin”.

“Ishin zgjedhje të trajnerit. Inzaghi më dha shumë shanse, më futi për gjysmë ore, njëzet minuta, shpesh më shumë. Problemi ishte se hyra dhe nuk lashë gjurmë, nuk shënova dot. Është vetëm faji im. Nëse je një lojtar i madh që luan për një klub të madh, duhet të dëshmosh veten edhe në nivelin e mentalitetit”.

SARRI DHE INZAGHI – “Kur shënova kundër Atalantës në Kupë dhe luajta mirë edhe në ligë, më pas nuk e nisa në njëmbëdhjetëshen startuese. Një goditje shumë e fortë. E di që kam bërë edhe disa gabime, nuk do ta mohoj, por në atë moment u ndjeva mirë dhe ndoshta e meritova të luaja”.

“Sarri? Shkova të bisedoja me të, ai nuk u anua më pas humbjes ndaj Bolonjës jashtë shtëpisë. Duke qenë se ai nuk më jepte më një shans, shkova t'i kërkoja një shpjegim, duke u përpjekur të kuptoj arsyet që e shtynë të mos më jepte më shanse pasi po afrohej edhe tregu i transferimeve. I thashë, ‘Zotëri më thuaj nëse nuk të bind më, nëse stërvitem keq apo nuk je i kënaqur me mua’.

“Dhe ai më tha se nuk isha i përshtatshëm për llojin e lojës së tij, edhe pse u stërvita mirë dhe tregova se isha profesionist. Kështu që e falënderova dhe kuptova që duhej të largohesha. Nga ana tjetër me Inzaghin nuk kam bërë muhabet të mëdha sepse nuk e dija mirë italishten. Kështu që nuk shkova përtej mirëmëngjesi dhe mirëmbrëma”.

“Por, e përsëris, Inzaghi më dha shumë mundësi. Madje shumë. Sistemi i Lazios ishte 3-5-2 që i përshtatej shumë karakteristikave të mia. Nuk është e kopsitur për mua, por kur shikon një bomber si Immobile nuk është e lehtë. Mendova se isha i ri dhe duhej të vrapoja më shumë për të kërkuar topin prapa, por nuk funksionoi”.

KOMBËTARJA DHE IMMOBILE – “Kam shënuar më shumë në kombëtare dhe arsyeja është e qartë: atje më besuan më shumë dhe u ndjeva më i sigurt. Në Kosovë kam pasur shumë siguri, me Lacion nuk e kam pasur dhe nuk e kam gjetur kurrë. Kjo është objektive. Mirupafshim? Kështu është jeta, më vjen keq për mënyrën se si shkuan gjërat, por gjithmonë do të falënderoj çdo tifoz të Lazios për mbështetjen që më dha nga minuta e parë deri në minutën e fundit”.

“Lazio është një klub i madh dhe ishte mirë të isha pjesë e tij, dhashë gjithçka edhe nëse nuk dola mirë. Do të jem gjithmonë fans i Lacios, e ndjek ende në Instagram dhe e ndjek në përgjithësi, më vjen keq që nuk e panë Muriqin e vërtetë”.

“Immobile? Ka pak për të thënë, Ciro gjithmonë luan sepse ai shënon gjithmonë, në çdo ndeshje. Vështirë të jesh zëvendësi i tij, është e pabesueshme, brenda zonës ai është një vrasës i vërtetë. Nuk kam parë kurrë një lojtar kaq të fortë, ndoshta vetëm Leëandoëski është si ai”.

GABIME – “Tani mendoj vetëm të bëj më të mirën, të shënoj shumë gola pa bërë gabime. Ndihem mirë, ndihem i sigurt dhe nëse janë këto dy gjëra është më e lehtë të bësh mirë. Megjithatë, dua të ritheksoj se nuk ka pasur gabime nga Lazio, tifozët, Tare apo Inzaghi: shumica ishin të miat”.