RTSH Sport Live

Ndahet nga jeta Ilo Teneqexhi

  • 11/11/2021
  • |
  • Të tjera
Ndahet nga jeta Ilo Teneqexhi
Ndahet nga jeta në moshën 85-vjeçare një ndër themeluesit e koshit korçar     

Basketbolli shqiptar dhe ai korçar ka humbur një nga legjenda e tij. Pikërisht të enjten pasdite në moshën 85-vjeçare është ndarë nga jeta Ilo Teneqexhi ndër themeluesit e koshit korçar e jo vetëm. Që në moshën 15-vjeçare aktivizohet me të rriturit e Skënderbeut, teksa edhe pse ishte shtatlartë luante si anësor. 1951-1954 ishin vitet e fillimeve të tij në koshin shqiptar me Skënderbeut.

Për shtatlartësinë e tij dhe për cilësitë fizike menjëherë bie në sy të ekipeve të tjera, ndërsa merret si ushtar në klubin Partizani. 1954-1957 aktivizohet me Partizanin, ku dhe do të shpallej kampion i Shqipërisë. Bëhet pjesë e kombëtares së Shqipërisë, ndërsa aktivizohet me fanellën kuqezi në Lojërat Ballkanike, por dhe në aktivitete të tjera ndërkombëtare për Europën dhe Botën. Rikthehet në Korçë dhe aktivizohet në moshën 33-vjeçare.

Sezoni i tij i fundit në fushën e lojës me Skënderbeun ishte në 1968-1969. Për katër-pesë vite, kjo pas periudhës së lënies së sportit aktiv, është trajneri i të rinjve të Skënderbeut. Ka merituar titullin Mjeshtër i Merituar i Sportit, por dhe titullin “Emblema e Artë” dhënë nga Bashkia Korçë. Një humbje e madhe për koshin korçar dhe atë shqiptar, ndërsa në breza emri i Ilo Teneqexhiut do të kujtohet gjithmonë.