RTSH Sport Live

Ndahet nga jeta ish-volejbollisti Ylli Lulushi

  • 29/06/2022
  • |
  • Të tjera
Ndahet nga jeta ish-volejbollisti Ylli Lulushi
Është ndarë nga jeta në moshën 67-vjeçare, pas një ataku kardiak, ish-volejbollisti i Flamurtarit, Partizanit dhe ekipit kombëtar

Është ndarë nga jeta në moshën 67-vjeçare, pas një ataku kardiak, ish-volejbollisti i Flamurtarit, Partizanit dhe ekipit kombëtar, Ylli Lulushi. I lindur në vitin 1953, ai e nisi sportin me pionierët në qytetin bregdetar, duke kaluar më pas tek të rinjtë e Flamurtarit në vitin 1968, por, në të njëjtën kohë me aktivizimin në këtë grupmoshë, Ylli është aktivizuar njëkohësisht me të rriturit nga trajneri i mirënjohur, Theodhori Driza.

Në moshën 19-vjeçare ai thirret për shërbimin ushtarak dhe kalon gjithashtu edhe tek skuadra e Partizanit, ku militonin  emra të njohur, si Dashamir Fagu, Ylli Tomori, Lulëzim Jaho, Grigor Qerfozi, Alqi Gjika, Kiço Stefani, Enver Duravaku e të tjerë. Por Ylli Lulushi u shndërrua në një kontribues të rëndësishëm në këtë skuadër të Partizanit, që sezonin 1972-1973 do të shpallej “kampione”, por do të spikaste edhe në Kupën e Kampioneve ndaj italianëve të Ruinit, teksa luajti për 5 ndeshje me të kuqtë në Evropë.

Pas shërbimit ushtarak ai do të rikthehet në Vlorë, për të vijuar karrierën për 15 sezone me Flamurtarin, por ka regjistruar edhe 11 ndeshje me Kombëtaren kuqezi të të rinjve në volejboll për meshkuj, si dhe 5 ndeshje me Kombëtaren e të rriturve. Në vitin 1982 ai merr titullin “Mjeshtër Sporti”, ndërsa pas mbyllje së karrierës aktive si sportist, ai vijoi punën si trajner i moshave në Vlorë, por edhe për 3 vjet, nga 2016-ta në 2019-ën, si trajner i të rriturave të Flamurtarit.

Federata Shqiptare e Volejbollit i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes së Ylli Lulushit, por edhe familjes së madhe të sportit tonë për humbjen e një tjetër ish-lojtari që ka lënë gjurmë!