RTSH Sport Live

Nën-19-vjeçarët, Tirana bën “bis”

  • 04/06/2023
  • |
  • Futboll Vendi
Nën-19-vjeçarët, Tirana bën “bis”
Pas kampionati, fiton edhe Kupën e Shqipërisë, finalja me Apoloni erdhi direkt në RTSH

Kupa e Shqipërisë në futboll për Nën-19-vjeçarët ka luajtur të dielën duelin e saj final, duke vënë përballë njëra-tjetrën Tiranën dhe Apoloninë. Sfida e luajtur në Stadiumin “Egnatia Arena” të Rrogozhinës dhe të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, ka nisur praktikisht me gol, sepse, pas vetëm 40 sekondash lojë, Jorgis Hasanaj harkon në zonë për Leo Ballhysën, që nuk gabon dhe përshëndet rrjetën, duke e kaluar kështu Tiranën në epërsi.

Goli i hershëm u ka dhënë siguri në vetvete bardhebluve, që përtej përpjekjeve të fierakëve, do ta administrojnë këtë epërsi, e madje ta thellojnë atë 6 minuta para fundit të pjesës së parë,m kur do të jetë vetë Hasanaj, ai që dha pasimin për golin e parë, që shënon të dytin për Tiranën.

Me këtë epërsi të dyfishtë të Tiranës do të mbyllet pjesa e parë në Rrogozhinë, ndërsa ajo e dyta ka parë bardheblutë kryeqytetas ta administrojnë rezultatin, edhe pse fierakët kanë ngulmuar, por pa e gjetur dot rrugën e rrjetës, edhe për shkak se u ka munguar konkretizimi. 45 minutëshi i dytë nuk ka sjellë gola të tjerë, por ato minutat shtesë kanë parë bardheblutë të gjejnë edhe një gol të 3-të, me anë të Krajkës, që kishte pak sekonda që ishte futur në fushë.

Tirana mposht kështu Apoloninë me rezultatin 3-0 dhe skuadra e drejtuar nga trajneri Julian Ahmataj bën të vetin trofeun e Kupës së Shqipërisë në futboll për Nën-19-vjeçarët, duke ia shtuar atë titullit “kampion”, të fituar pak më herët.