Mbajtja e një tjetër Kampionati Botëror gjatë dimrit është e papranueshme pa ndryshime të mëdha në mënyrën sesi do të përgatitet kjo veprimtari, ka deklaruar të enjten Unioni Ndërkombëtar i Futbollistëve Profesionistë, i njohur shkurt si “Fifpro”. Kjo deklaratë vjen pasi Unioni publikoi një raport mbi ndikimet që Botërori “Katar 2022”, i mbajtur në nëntor dhe dhjetor të vitit të shkuar, pati mbi ngarkesën e futbollistëve. Kështu, koha e rimarrjes së formës së duhur fizike, e cila në kushte normale ishte deri në 37 ditë, u shkurtua në vetëm 8 ditë, për të minimizuar sadopak ndikimin në kalendarin e futbollit evropian të klubeve.
“Një Botëror në dimër nuk duhet të jetë një zgjedhje e volitshme për askënd”, - deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i “Fifpro”-së, Jonas Baer-Hofman. Në fakt, një tjetër Botëror në dimër, në dhjetor, ekziston si mundësi, pasi Arabia Saudite po shqyrton kandidaturën për edicionin e 2030-ës, ndërsa edhe Portugalia dhe Spanja mund ta organizojnë atë në dimër. Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, deklaroi pas Botërorit të Katarit, se mbajtja e Botërorit në dimër kishte çuar në ndeshje më të mira.
“Të luajturit në nëntor dhe në dhjetor ka patur ndikim”, - deklaroi kreu i organizmit që qeveris futbollin botëror, duke shtuar: “Ne e kemi parë këtë në cilësinë e ndeshjeve, krahasuar me një Botëror vere, ku lojtarët vijnë pas një sezoni të lodhshëm me klubet.” Por Baer-Hofman deklaroi: “Përsëritja e asaj që ki9shim këtë Botëror është qartësisht e papranueshme”, duke sqaruar se, duke qenë se “Katar 2022” u mbajt në mes të sezonit evropian të futbollit të klubeve, edhe koha e përgatitjes për të u shkurtua nga 31 ditë në vetëm 7.
“Nëse duam, një tjetër Botëror dimëror, duhet një proces i zgjeruar bisedimesh me të gjithë aktorët dhe faktorët, për të siguruar kohë të mjaftueshme për stërvitje dhe rigjenerim, dhe kjo do të nënkuptonte një ndërprerje prej dy muajsh-dymuajsh e gjysmë të sezonit të klubeve, por unë nuk besoj se ndokush mund ta pranojë një gjë të tillë”, - shtoi kreu i “Fifpro”-së. Në raportin e këtij Unioni theksohet se shumica e lojtarëve duan të paktën 14 ditë fazë përgatitore dhe një periudhë rigjenerimi nga 14 deri në 28 ditë.