RTSH Sport Live

Olsi Teqja dhe eksperienca e tij franceze

  • 22/11/2022
  • |
  • Futboll Vendi
Olsi Teqja dhe eksperienca e tij franceze
Për programin “Sot në Botëror”: Licencat e trajnerit i marr në Francë

Olsi Teqja, futbollisti që luan prej dy vitesh në Francë, teksa është pjesë e Chambly, ka qenë i ftuar në emisionin “Sot në Botëror”, që në RTSH Sport vjen çdo ditë paradite nën drejtimin e Pejana Elezit dhe Sabina Metes. Teqja, teksa në Shqipëri ka luajtur për Kukësin, Kamzën, Tiranën, Laçin, Bylis, Apolonia dhe Kastrioti, apo në Maqedoninë e Veriut me Shkëndinë e Tetovës, ka treguar dhe eksperiencën e tij të të luajturit në Francë.

Chambly – thotë Teqja – është një klub i organizuar mirë. Është në nivelin e dytë të kampionatit në Francë. I ka kushtet shumë të mira. Ka patur probleme në kohën e Covid-19, por tanimë objektivat i ka të qarta për t’u ngjitur në Ligën e Dytë, që do të ishte një rikthim atje”.

Teqja më tej ka folur dhe për Francën në Botëror, apo përjetimin në vendin e gjelave për atë që ndodh në Katar dhe çfarë pritet nga gjelat.

Franca është gjithmonë favorite. Ka lojtarë shumë të mirë. Në Kampionatin Botëror konkurrenca e madhe, ndryshe nga Europiani. Unë në fakt jam tifoz i Brazilit, që në fakt nuk është kundërshtar për t’u diskutuar, por është për të mundur. Lokalet janë zbukuruar me simbolin e gjelave në Francë dhe gjithçka diskutohet për Botërorin”.

Madje Olsi Teqja ka dhe mendimin e tij për dëmtimin e Benzemas, apo kohën e pafundme shtesë që po jepet në këto ndeshje.

Benzema nuk ka qenë as në Botërore të tjera. Megjithatë dëmtimi i tij është një vlerë e humbur jo vetëm për Francën, por dhe për Botërorin në tërësi, sepse është Topi i Artë, që duhet të ishte në fushë. Kjo është risia e këtij Kampionati Botëror pra koha e gjatë shtesë. Ndoshta nuk ishte ky evenimenti për eksperimente, por mos harroni që është periudha më e mirë për të luajtur këtë Botëror. Lojtarët janë në formë dhe ritmi i lartë i lojës është demonstruar dhe në dy ndeshjet e para. Janë ndërprerje që nuk ndikojnë në vazhdim e garës, sepse fizikisht janë të gjithë mirë”, thotë Teqja

Në fund, Teqja ka folur dhe për të ardhmen e tij, që më shumti është e lidhur me Francën.

Unë kam një kontratë deri më 2025-ën me klubin ku jam. Mendoj se është shumë e vështirë të rikthehesh përsëri në Shqipëri. Kështu që mendoj ta ndërtoj jetën në Francë dhe kam biseduar dhe me klubin që licencat për trajner t’i bëj në Francë. Në Shqipëri ka nivel të mirë të trajningut dhe trajnerëve, por jam në Francë e mbetem këtu”, përfundon Teqja.