RTSH Sport Live

Paditet në polici zyrtari i FSHF-së

  • 19/02/2024
  • |
  • Futboll Vendi
Paditet në polici zyrtari i FSHF-së
Klubi i Flamurtarit e cilëson të pahijshme sjelljen e delegatit Bujar Pregja

Reagimet e zyrtarit të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Bujar Pregja, janë cilësuar si të papërshtatshme nga drejtuesit e Flamurtarit, të cilët e kanë denoncuar atë në Polici. Dhe drejtori sportiv i klubit vlonjat, Alfred Ferko, shpreson që në vijim këto sjellje të mos përsëriten.

Klubi i futbollit Flamurtari denoncon në polici zyrtarin e FSHF, Bujar Pregja. Ky i fundit ishte i deleguar në ndeshjen e ditës së diel, Flamurtari-Korabi, luajtur në Vlorë.  Drejtori i klubit vlonjat, Alfred Ferko ka konfirmuar se denoncimi është kryer menjëherë pas ndeshjes, ndërsa zyrtari Pregja ka kryer veprime ndaj tifozërisë vlonjate, gjë që solli dhe këtë hap të klubit.

Ferko ka bërë me dije se është i papranueshëm një veprim i tillë, i cili mund të çojë deri edhe në situata më të rënda apo edhe përhapje të dhunës. Klubi vlonjat është i pari që ndërmerr një hap të tillë dhe sipas Ferkos një veprim i tille duhet të bëjë që edhe klubet e tjera të veprojnë për të mos lënë që të përsëriten situata të tilla në stadiume.   

“Në raste të tilla ka ndodhur dhe mund të ndodhë që të krijojë dhunë mes tifozëve dhe policia nuk mund të ndërhyjë në ambjentet e brendshme. Kështu mund të krijoheshin problem mes tifozëve, konflikte të padëshirueshme”.                           

Drejtori i klubit, Alfred Ferko ka kërkuar që gara të jetë e qete ndërsa veprime te tilla ndaj Flamurtarit janë prej kohësh ndërsa klubi do ti shkojë deri në fund kesaj çështjeje.  

Veprime të tilla, aq më shumë të një zyrtari të FSHF-së sjellin deri edhe dhunë në stadium, ndërsa klubi është i qetë në veprimet që kryen dhe nuk ka frikë se mund të kthehen në pasoja për vetë klubin.

“FSHF duhet të zgjohet dhe ti kërkojë këtij personi përse e ka bërë një veprim të tillë. Ne jemi të qetë , sepse kemi të drejtë për atë denoncim që bëmë dhe do I shikojmë me kujdes gjërat. E drejta është në anën tonë”, ka përfunduar Ferko.