RTSH Sport Live

Partizani, Colella: Kastrioti, kundërshtar shumë i vështirë

  • 18/03/2023
  • |
  • Abissnet Superiore
Partizani, Colella: Kastrioti, kundërshtar shumë i vështirë
Trajneri i të kuqve, Giovanni Colella ka komentuar sfidën me krutanët

Partizani i ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve për sfidën me Kastriotin, që do të luhet të dielën në orën 16:00 në në "Stadiumin Partizani". Trajneri i të kuqve, Giovanni Colella ka komentuar në funksion të kësaj sfide.

Dy barazime në ndeshjet e mëparshme me Kastriotin – “Kanë kaluar katër muaj tashmë, gjatë kësaj periudhe ndryshojnë shumë gjëra, si për ne edhe për ata. Çdo ndeshje ka historinë e saj. Shikoni diferencën e dy përballjeve në kupë ndaj Vllaznisë, paraqitjen në Shkodër dhe atë në ndeshjen e kthimit në harkun e 15 ditëve. Imagjinoni distancën prej katër muajsh. Për më tepër, kur tashmë po i drejtohemi fundit të kampionatit, pikët janë më të rëndësishme si për ne ashtu dhe për Kastriotin”.

Atmosfera – “Sigurisht që nuk jemi të lumtur pas atij eliminimi nga kupa, por jemi të sigurt që kemi zhvilluar një ndeshje të mirë dhe shpresojmë të bëjmë një ndeshje akoma më të mirë ndaj Kastriotit. Kemi problem me Telushin dhe Maguette, por të dy këta lojtarë nuk ishin dhe në ndeshjen e kupës ndaj Vllaznisë. Pjesa tjetër janë të gjithë në dispozicion”.

Gara e radhës me Kastriotin dhe gara për titull me Tiranën – “Kastrioti është një kundërshtar shumë i vështirë dhe tani që lufton për mbijetesë është akoma dhe më i vështirë. Tani më duhet të mendoj për Kastriotin dhe jo për Tiranën. Për të do të mendoj kur të luajmë në derbi”.