Partizani, në gati një orë e 30 minuta, ka mbaruar punë me Dinamon, teksa ka fituar ashtu sikurse në fazën e parë 3-0. Gjithçka ka ndodhur në sallën sportive në Farkë në ndeshjen e cila ka ardhur drejtpërdrejtë në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Dinamo, e armatosur me tre amerikane si Zydlo, Sukov dhe Blevins, sërisht nuk ka bërë diferencë në fushën e lojës.
Në setin e parë, Partizani nis shkëputjen pas barazimit 5-5. 14-19, 14-22 dhe fiton setin e parë 16-25. Më pas në të dytin 10-12, 16-18, 20-24 dhe 20-25. E njëjta situatë dhe në setin e tretë me Partizanin gjithnjë në udhëheqje të rezultatit, atje ku ka kryesuar 10-13, 12-17, 15-17, 19-20 dhe në fund 23-25. 24 pikë për Partizanin pas dhjetë javësh kampionat, kurse Dinamo mbetet në kuotën e dhjetë pikëve.
Po 3-0 ka fituar dhe Tirana në transfertën e Durrësit, kurse javën e mbyll Pogradeci – Barleti Volej. Ndërkohë për meshkuj Skënderbeu ka fituar në Shkodër, 3-2, kurse Teuta ka mundur Tiranën, 3-1.
Dhe javën e mbyll dueli mes Studentit e Partizanit. Në përgjithësi një kampionat i fortë, kurse mesjava do të jetë për gjysmëfinalet e para të Kupës së Shqipërisë.