RTSH Sport Live

Partizani, Kolela: Asgjë nuk ka përfunduar

  • 28/05/2023
  • |
  • Abissnet Superiore
Partizani, Kolela: Asgjë nuk ka përfunduar
Trajneri i Partizanit kërkon të mbajë skuadrën “me këmbët në tokë” para Teutës

Partizani është vetëm 90 minuta larg fitimit të titullit, por për trajnerin e të kuqve kryeqytetas, Xhovani Kolela, asgjë nuk ka përfunduar. Duke folur të dielën, në prag të ndeshjes me Teutën, italiani 56-vjeçar nuk lodhet së përsërituri se skuadra duhet të mbetet me këmbët në tokë.

 “Është ndeshja e fundit, nuk kam çfarë them. Punon dhe e ushtron këtë profesion për të arritur këtu. Askush nuk bën punë për të rënë nga Kategoria. Është mëse normale të luash një ndeshje finale ku mund të shpallesh kampion dhe padyshim që ke kënaqësi. Një skenar si Bundesliga? Mendoj se nuk ka frikë në aspektin sportiv. Frikë kemi gjërat e tjera në jetë. Thjesht ajo që dua të shtoj është se na mungon një ndeshje e fundit për objektivin final. Një objektiv final ku shanset për të ta fituar dhe për ta humbur titullin janë 50 me 50 mendoj. Teuta? Është skuadër që do të luajë në Evropë dhe është e vështirë por të gjitha janë të vështira. Më kujtohet dikur Roma kur humbi titullin ndaj Leçes që kishte rënë nga kategoria. E humbi në ndeshjen e fundit. Kështu është futbolli. Këmbëngul të mos festojmë deri sa të mbyllet gjithçka”.

Italian 56-vjeçar nuk lodhet së përsërituri se skuadra duhet të mbetet me këmbët në tokë.

 “Për të fituar ka një kombinim me shumë faktorë. Edhe fakti që ka shumë trajnerë që fitojnë dhe trajnerë që nuk fitojnë asnjëherë, por trajneri është krahu i klubit dhe koka e skuadrës. Sigurisht që e rëndësishme është që nesër kemi një moment kuptimplotë dhe nesër duhet të fitojmë ndeshjen. Mendoj se festimi i tepërt nuk është pozitiv por të qëndrojmë me këmbë në tokë sepse jemi profesionistë dhe kemi disa limite. Sa i përket tifozëve, ata janë një tjetër gjë. Unë mendoj se festohet vetëm kur fitojmë dhe kur mbyllet gjithçka e jo më parë.  Që të fitosh është një luks i madh dhe nuk e kam pasur në jetën time. Të fitosh është e vështirë dhe kur arrin diçka të tillë, nuk ka rëndësi diferenca. Sot luajmë titullin. Mendoj se pas ndeshjes ndaj Laçit nëse ju pyesja sa shanse kemi të fitojmë, do thoshit 0 shanse. Kemi arritur shumë”.

Më pas, Kolela ka folur edhe për të ardhmen e tij me Partizanin.

 “Sido që të shkojnë gjërat, Partizani ka një skuadër shumë të mirë. Në çdo veprimtari që do të luajmë kemi skuadër gati për ta përballuar. Për më tepër nuk mund të diskutojmë se kush ikën e kush vjen. Sigurisht me kohën do të bëjmë disa ndërhyrje por jo nesër por në vazhdim. Janë gjëra të programuara. Të martën kam avionin për të udhëtuar. Do ta mbajmë grupin por nëse ka ndonjë ofertë nuk është në dorën time por në dorën e klubit por ideja është që të formojmë grup dhe me këtë grup të ecim para. Pas ditës së nesërme, do të jemi të qetë dhe projektet janë gati. Shpresoj të jem pjesë e projektit. Raportet janë të mira dhe kur them që kemi bërë program është raport përtej kontratës. Është ajo që kam thënë që bëhet fjalë për një marrëveshje xhentëlmenësh e jo kontratë pune”.

Në ndeshjen e fundit të këtij sezoni të Kategorisë Superiore, Partizani pret në fushën e vet Teutën, në ndeshjen që luhet të hënën pasdite.