Partizani në volejboll për meshkuj ka triumfuar për herë të dytë radhazi në Ligën Gjergj Kastrioti, duke mposhtur Skënderbeun në një finale të luftuar deri në fund(Setet: 22:25, 25:13, 25:23, 26:24).
Skuadra korçare e nisi ndeshjen më mirë, duke fituar setin e parë 22:25, por Partizani reagoi fuqishëm në të dytin, duke dominuar me 25:13.
Emocionet kulmuan në setet e tretë dhe të katërt, ku të dyja skuadrat luftuan për çdo pikë. Partizani arriti të mbante avantazhin në setin e tretë (25:23), ndërsa në të katërtin, pas një beteje të fortë, siguroi fitoren me rezultatin 26:24, duke mbrojtur titullin kampion.
Trofeun për kampionët e Partizanit e dorëzoi presidenti i FSHV-së, Erlind Pëllumbi, ndërsa çmimi MVP shkoi për Raul Sabliqin, të cilit trofeun individual ia dorëzoi presidenti i FVK-së, Bahri Gjinovci.
Gjithashtu, sekretarët e përgjithshëm të të dyja federatave, së bashku me nënkryetarët dhe anëtarët e bordeve, ndanë medaljet për finalistët, duke kurorëzuar një tjetër edicion të shkëlqyer të kësaj gare.