Kristjan Asllani ka përfituar nga një ndeshje e rëndësishme siç ishte ajo mes Interit dhe Arsenalit për të rifituar besimin e trajnerit dhe të tifozëve.
Mbrëmjen e kaluar shqiptari u aktivizua në minutën e 71’ kur i mori vendin Çalhanoglusë dhe për aq sa minuta luajti arriti që të shfaqte një performancë të lartësisë së duhur.
Në fund të ndeshjes Inzagi u pyet për Çalhanoglun dhe gjatë fjalës së tij evidentoi edhe kontributin e shqiptarit. “Skuadra shpenzoi shumë në aspektin fizik. Kur them se kam 23 titullarë e mendoj me të vërtetë. Asllani u aktivizua dhe u fut mirë në rol pasi arriti që të mbante ritmin e ndeshjes që gjeti. U tregua i zoti pasi në dy javët e fundit kishte disa probleme fizike, të cilat e penguan që të stërvitej me shokët dhe të bënte duele në fushë. Por kjo nuk e pengoi që të na jepte një dorë të mirë”, tha Inzagi.