RTSH Sport Live

Perez niset i pari në Majemi, e ndjek Alonso

  • 06/05/2023
  • |
  • Formula 1
Perez niset i pari në Majemi, e ndjek Alonso
Gara e së dielës vjen drejtpërdrejt në Rrjetin e RTSH-së (21:30)

Kampionati Botëror i Formulës 1 është zhvendosur nga Azerbajxhani në skajin tjetër të globit, teksa gara e 5-të e këtij sezoni do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Majemi. Kjo garë është një nga 3 garat amerikane të këtij sezoni të Formulës 1 dhe provat zyrtare të së shtunës kanë dhuruar disa të papritura. Kështu, në seancën e parë të këtyre provave, të parët që kanë rënë në fushën e betejës, kanë qenë dy makinat  “MekLaren” të Norrisit dhe Piastrit, së bashku me Tsunodën dhe Sarxhentin, ndërsa zhgënjim i madh ishte vendi i 18-të për Lens Strollin me “Aston Martin”-in e tij.

Dy pilotët e “Mercedes”-it mbijetojnë në këtë seancë të parë, por nuk arrijnë ta bëjnë këtë edhe në seancën e dytë. Xhorxh Rasëll shpëton sidoqoftë, duke marrë vendin e 10-të dhe të fundit që të kualifikon për në seancën e 3-të, por nuk ka arritur ta bëjë këtë edhe shoku i tij i skuadrës. 7-herë “kampioni i botës”, Ljuis Hemilton, nuk ka shkuar dot më larg se vendi i 13-të, duke mos patur mundësi të provojë veten në 10-minutëshin e fundit. 

Një 10-minutësh që nuk ka arritur të përfundojë, sepse përplasja e pilotit të “Ferrari”-t, Sharl Lëklerk me muret rrethuese, ka bërë që seanca e 3-të të mbyllet 1 minutë e gjysmë përpara kohe, duke i dhuruar Serxhio Perezit të “Red Bull”-it nisjen nga vendi i parë të dielën, ndërsa nga radha e parë do të niset edhe Fernando Alonso me “Aston Martin”.

Në radhën e dytë do të rreshtohen Karlos Sainz i “Ferrari”-t dhe Kevin Magnusen i “Haas”-it, në atë të 3-të Pjer Gasli i “Alpin” dhe Xhorxh Rasëll i “Mercedes”-it dhe në atë të 4-t Lëklerk i “Ferrari”-t dhe Sebastian Okon me “Alpin”. Vetëm vendi i 9-të në nisje për kampionin në fuqi të botës, Maks Verstapen, me pilotin e “Red Bull”-it që nuk e ka fshehur zhgënjimin e tij për mbylljen para kohe të seancës së 3-të, ndërsa krahas tij, në radhën e 5-të të nisjes do të rreshtohet Valteri Botas me “Alfa Romeo”-n e tij.

Kështu pra, Çmimi i Madh i Majemit në Formula 1, ka zhvilluar të shtunën në mbrëmje provat zyrtare, që përcaktuan edhe radhën e nisjes për garën e së dielës në mbrëmje. Sikundër këto prova zyrtare, që erdhën drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, edhe gara e së dielës do të vijë drejtpërdrejt për sportdashësit, duke nisur nga ora 21:30.

GARA

Rreshti i parë

  1. Sergio Perez (Red Bull)
  2. Fernando Alonso (Aston Martin)

Rreshti i dytë

  1. Carlos Sainz (Ferrari)
  2. Kevin Magnussen (Haas)

Rreshti i tretë

  1. Pierre Gasly (Alpine)
  2. George Russell (Mercedes)

Rreshti i katërt

  1. Charles Leclerc (Ferrari)
  2. Esteban con (Alpine)

Rreshti i pestë

  1. Max Verstappen (Red Bull)
  2. Valtteri Bottas (Alfa Romeo)

Rreshti i gjashtë

  1. Alexander Albon (Williams)
  2. Nico Hulkenberg (Haas)

Rreshti i shtatë

  1. Lewis Hamilton (Mercedes)
  2. Zhou Guanyu (Alfa Romeo)

Rreshti i tetë

  1. Nyck De Vries (AlphaTauri)
  2. Lando Norris (McLaren)

Rreshti i nëntë

  1. Yuki Tsunoda (AlphaTauri)
  2. Lance Stroll (Aston Martin)

Rreshti i dhjetë

  1. Oscar Piastri (McLaren)
  2. Logan Sargeant (Williams)