RTSH Sport Live

Peshëngritja, një mundësi shtesë për Olimpiadën

  • 20/03/2021
  • |
  • Të tjera
Peshëngritja, një mundësi shtesë për Olimpiadën
Propozohet mbajtja e dy turneve kualifikues shtesë për “Tokio 2020”, shpresojnë kuqezinjtë

Peshëngritësit, shpresat e të cilëve kanë vuajtur për shkak të epidemisë së virusit “Covid-19”, mund të kenë një shans të fundit nëpërmjet dy turneve të fundit kualifikues për në Olimpiadë, që do të mbahen në maj, njëri prej të cilëve do të jetë virtual. Kjo nënkupton edhe një mundësi më tepër për peshëngritësit shqiptarë, të cilët aspirojnë një vend në “Tokio 2020”.

Turneu normal, i hapur për sportistët që nuk kanë qenë në gjendje të konkurrojnë në Kampionatet e tyre kontinentalë, do të zhvillohen në Arabinë Saudite, në të njëjtën kohë me Kampionatin Botëror të Peshëngritjes për Të Rinj, ndërsa turneu virtual do të mbahet më 31 maj 2021, në ditën e fundit të garave kualifikuese për në Lojërat Olimpike të verës.

Por ndryshimet në kalendar mund t’i detyrojnë të gjithë sportistët e tyre të informojnë autoritetet e anti-dopingut për vendndodhjen e tyre duke nisur që nga 1 prilli, përfshi edhe ata që nuk kanë mundur të marrin pjesë në një veprimtari për shkak të shtyrjeve apo kufizimeve të udhëtimit. Shumica e peshëngritësve në renditjet olimpike të Federatës Botërore të Peshëngritjes (IWF) nuk janë testuar për antidoping për mëse një vit.

 Propozimi prej 11 faqesh i është dorëzuar Bordit Ekzekutiv të organizmit që qeveris shtangën botërore dhe ka gjetur edhe mbështetjen, ndër të tjera, edhe të Presidentit të Federatës Greke të Peshëngritjes dhe ish-drejtorit teknik të Federatës së Peshëngritjes së SHBA, Pirro Dhimës, i cili është aktualisht edhe anëtar i Bordit të IWF-së.

Mbetet për t’u parë se cilat janë kushtet për pjesëmarrje dhe nëse sportistët shqiptarë kanë mundësi të marrin pjesë në këto dy turne shtesë. Siç dihet, Peshëngritja shqiptare është në prag të aktivitetit më të rëndësishëm ndërkombëtar për vitin 2021, Kampionatin Europian të të rriturve, i cili do të zhvillohet në kryeqytetin rus, Moskë nga 1 deri më 10 prill.

Një veprimtari që në fakt duhet të ishte bërë që vitin e kaluar, por u shty për shkak të epindemisë së “Covid-19”. Shtanga shqiptare ka përcaktuar dhe pesë sportistët e saj, të cilët do të marrin pjesë në këtë Europian. Ata janë Evagjelia Veli në peshën 55 kilogram, Briken Calja në peshën 73 kilogram, Daniel Godelli dhe Erkand Qerimaj në peshën 81 kilogram dhe Krenar Shoraj në peshën 89 kilogram.

Ata do të zhvillojnë jo vetëm betejë për medalje e për vende nderi, por edhe për të arritur normën e kualifikimit për në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, të cilat do të zhvillohen në korrik të këtij viti.