RTSH Sport Live

Playoff NBA, Minesota eliminon Suns, dëmtimi i Finç sa serioz dhe absurd

  • 29/04/2024
  • |
  • Basketboll
Playoff NBA, Minesota eliminon Suns, dëmtimi i Finç sa serioz dhe absurd

Ndeshja e katërt mes T’Wolves dhe Suns ishte mjaft e barabartë edhe pse fitorja e katërt në po kaq takime e ekipit nga Minesota tregon qartë se cili formacion është më i mirë në këtë sezon.   

Takimi i mbrëmshëm ishte i ekuilibruar pasi skuadrat barazuan rezultatin plot 21 herë ndërsa avantazhi më i madh i regjistruar nga të dy ekipet nuk ishte më i madh se 6 pikë.

Në fund triumfuan miqtë nga Mineapolis të cilët eliminuan ekipin e Finiks në Arizona duke i dhënë fund një sezoni të dobët për të besuarit e Frank Vogel.

Vendasve nuk u mjaftoi paraqitja më e mirë në playoff e Devin Buker (49 pikë, 5 topa në tabelë dhe 6 asist). Ky i fundit u ndihmua edhe nga Kevin Durant, autor i 33 pikëve ndërsa zhgënjeu Bil, i cili mbylli takimin me 9 pikë, 6 topa të humbur dhe 6 faulle.

Nga ana tjetër shkëlqyen Eduards (40 pikë, 9 topa në tabelë dhe 6 asist), Tauns (28 pikë dhe 10 topa në tabelë) dhe MekDaniels (18 pikë). E vetmja notë negative e mbrëmjes ishte dëmtimi i pësuar nga trajneri i miqve, Kris Finç pasi u përlas nga lojtari i tij, Konlej.

Sipas stafit mjekësorë trajneri ka dëmtuar rëndë gjurin dhe do të duhet që të operohet edhe pse në horizont ekipin e tij e pret një sfidë e madhe pasi do të ndeshet me fituesen e çiftit Nuggets-Lakers.

Ndeshjet

PHILADELPHIA 76ERS-NEW YORK KNICKS NDESHJA-4 92-97

DALLAS MAVERICKS-L.A. CLIPPERS NDESHJA-4 111-116

INDIANA PACERS-MILWAUKEE BUCKS NDESHJA-4 126-113

PHOENIX SUNS-MINNESOTA TIMBERWOLVES NDESHJA-4 116-122