RTSH Sport Live

Postecoglou, zyrtarisht trajner i Tottenham

  • 06/06/2023
  • |
  • Angli
Postecoglou, zyrtarisht trajner i Tottenham
Trajneri largohet nga pankina e Celtic dhe merr drejtimin e një klubi anglez për herë të parë në karrierën e tij

Tottenham merr vendimin: Angelos Postecoglou do të jetë trajneri i ri i Spurs duke filluar nga sezoni i ardhshëm. Trajneri me origjinë greke, por i emigruar në Australi në vitet '70, i thotë lamtumirë skuadrës Celtic me të cilën ka fituar dy kampionate, dy kupa lige dhe një kupë skoceze në dy vitet e fundit.

Lajmi qarkullonte prej kohësh, por tani është zyrtar: “Kemi kënaqësinë të njoftojmë emërimin e Ange Postecoglou si trajneri ynë i ri me një kontratë katërvjeçare”, thuhet në shënimin e publikuar në faqen zyrtare të klubit. Tekniku zë vendin e Ryan Mason. “Ange sjell një mentalitet pozitiv dhe një stil të shpejtë të lojës sulmuese. Ai ka një sfond solid në zhvillimin e lojtarëve dhe një kuptim të gjithçkaje që është e rëndësishme për klubin tonë. Jemi të emocionuar që kemi Ange për sezonin e ardhshëm”, këto janë fjalët e presidentit Daniel Levy.

Angelos Postecoglou, një ish-mbrojtës i lindur në vitin 1965, e filloi karrierën e tij në stolin e South Melbourne me të cilin fitoi dy herë Ligën Kombëtare të Futbollit dhe Kampionatin e Klubeve OFC. Nga viti 2000 deri në 2007 ai drejtoi Australinë nën 17 dhe nën 20 vjeç përpara se të kalonte në pankinën e Panachaiki-t, në kategorinë e tretë të kampionatit grek. Më pas ai zbarkoi në Brisbane Roar me të cilin fitoi kampionatin në 2011.

Nga viti 2013 deri në vitin 2017 ai ishte trajner i Kombëtares së Australisë: u kualifikua në Kupat e Botës 2014 dhe 2018 dhe në vitin 2015 fitoi Kupën e Azisë AFC. Në vitin 2019 ai mbërriti në Japoni dhe me Yokohama F. Marinos fiton Ligën J1. Eksperienca e fundit, te Celtic, është ajo që e shenjtëroi. Me klubin skocez ai fitoi Premiership dhe Kupën e Ligës Skoceze në 2021/22. Më pas përsëritet këtë sezon duke sjellë në shtëpi Premiership, Kupën e Ligës Skoceze dhe Kupën e Skocisë.