Vetëm 4 muaj i ka zgjatur trajnerit slloven, Primozh Gliha, qëndrimi në krye të përfaqësueses së Kosovës në futboll. Federata e Futbollit e Kosovës të mërkurën njoftoi se trajnerit Gliha i ka përfunduar marrëveshja e lidhur më 4 korrik. Nën drejtimin e Glihas, Kosova korri dy fitore, ndërsa pati po aq barazime dhe humbje.
Kosova të martën e mbylli me humbje ciklin eliminator për “Euro 2024”, teksa u mposht në Prishtinë nga Bjellorusia me rezultatin 0-1. “Dardanët” e mbyllën në vendin e parafundit në Grupin I, pjesë e të cilit ishin edhe Rumania, Zvicra, Izraeli, Bjellorusia dhe Andorra.
Nga 10 ndeshje, Kosova fitoi 11 pikë, ndërsa pas vetes la vetëm Andorrën, me dy pikë. Në Evropian si e para e grupit u kualifikua Rumania, ndërsa Zvicra si e dyta. Gliha pati zëvendësuar Alen Zhiresin e shkarkuar.
Trajneri slloven kishte drejtuar Kosovën edhe në dy ndeshje të nëntorit 2021. Sllovenia debutoi në shtator te Kosova me barazimin 2-2 në Prishtinë me Zvicrën, duke vijuar të mundej 0-2 nga Rumania, ndërsa muajin e kaluar fitoi 3-0 kundër Andorrës.
Këtë muaj përfaqësuesja dardane fitoi ndaj Izraelit 1-0 në Prishtinë, barazoi 1-1 me Zvicrën në Bazel, kurse të martën u mund nga Bjellorusia.
Ndonëse rezultatet e Kosovës me Glihën ishin më të mira se me Zhiresin, slloveni ishte shënjestër e kritikave të shumta për marrëdhëniet me lojtarët dhe deklaratat e tij gjatë intervistave dhe konferencave para dhe pas ndeshjeve.