RTSH Sport Live

Qeveria jep 90 milionë lekë për “Durrah City Football Academy”

  • 28/03/2024
  • |
  • Të tjera
Qeveria jep 90 milionë lekë për “Durrah City Football Academy”
Qeveria shqiptare ka miratuar në Fletoren Zyrtare shumën prej 90 milionë lekësh

Qeveria shqiptare ka miratuar në Fletoren Zyrtare shumën prej 90 milionë lekësh për “Durrah City Football Academy”. Kjo Akademi pritet të fillojë nga puna në shtator, është një projekt  i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit së bashku me "City Group" që zotërohet nga sheikët, klubi i tyre më i njohur është Manchester City. Edhe më parë qeveria shqiptare ka dhënë një shumë prej 20 milionë lekësh për këtë Akademi.

FINANCIMIN E VEPRIMTARISË SË FONDACIONIT “DURRAH CITY FOOTBALL ACADEMY”, PËR VITIN 2024

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 7, pika 2, dhe 19, pika 4, të ligjit nr.79/2017, “Për sportin”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Përdorimin e fondit prej 90 000 000 (nëntëdhjetë milionë) lekësh, të miratuar në buxhetin e vitit 2024, për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, në programin buxhetor 08140 “Për zhvillimin e sportit”, në llogarinë ekonomike 604 “Transferta të brendshme”, për financimin e shpenzimeve të ushtrimit të veprimtarisë së fondacionit “Durrah City Football Academy”.
  2. Fondi i përcaktuar sipas pikës 1, të këtij vendimi, transferohet në llogarinë e fondacionit, në bankën e nivelit të dytë.
  3. Fondacioni “Durrah City Football Academy”, brenda muajit mars të vitit 2025, dërgon në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit raportin e shpenzimeve të realizuara për vitin 2024, të miratuar nga bordi drejtues i fondacionit.
  4. Fondet buxhetore, që do t’i akordohen fondacionit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, duhet t’i nënshtrohen rregullave të menaxhimit financiar dhe kontrollit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin financiar dhe kontrollin.
  5. Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Sportit për zbatimin e këtij vendimi.

 Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.