RTSH Sport Live

Reagon Tirana: Ngjarja e fundit na kthen shumë vite pas, tifozët u provokuan

  • 26/05/2023
  • |
  • Abissnet Superiore
Reagon Tirana: Ngjarja e fundit na kthen shumë vite pas, tifozët u provokuan
Klubi i Tiranës ka reaguar për ngjarjet e fundit

Klubi i Tiranës ka reaguar së fundmi për ngjarjet e ndodhura në ndeshjen me Bylisin, që përfundoi 2-2 dhe që i kushtoi vendin e parë në klasifikim e me shumë mundësi dhe titullin kampion. Ngjarje që u pasuan dhe nga vendimet e Disiplinës që sollën dënime shembullore për lojtarët dhe stafin. Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Goldi Halili, vajza e presidentit të klubit Refik Halili ka lexuar një komunikatë ku ndër të tjera ka theksuar se tifozëria bardheblu është provokuar.

Reagimi i klubit bardheblu:

Ndeshja KF Tirana-FK Bylis, pati një përfundim të trishtueshëm për të gjithë komunitetin bardheblu. Kjo ndeshje e cila u mbyll nga një episod tepër flagrant, siç ishte edhe ajo penallti e akorduar për miqtë në fundin e takimit, arriti të provokonte në limite tifozerinë e klubit tonë.

Një tifozeri e cila ka qenë shembull e qytetarisë në mbështetje të skuadrës së zemrës në të gjithë historinë e klubit tonë. Kjo ngjarje nuk prek vetëm tifozët e Tiranës apo dashamirësit e saj. Kjo është një shuplakë e rëndë ndaj komunitetit të futbollit në mbarë vendin. Futbolli luhet për tifozët dhe KF Tirana ka tifozerinë e saj, e cila jeton çdo ditë me skuadrën futbollit.

Ngjarja e ndeshjes së fundit na kthen shuam vite pas, vite ku futbolli ynë kishte fusha sportive të amortizuara, arbitra të kontestuar për gjykimet e tyre dhe shumë hallka të tjera të cilat na privonin për ato hapa madhorë drejt futbollit profesionist ku ne kemi aspiruar gjithnjë.

Ne sot kemi stadiume moderne të rikonstruktuara, të tjera pritet të ndërtohen, ndër to edhe shtëpia bardheblu, “Selman Stërmasi”. Sapo kemi pritur një final europiane, kemi sisteme VAR, po sjellim risi në futbollin shqiptar si dhe po transferojmë elementë të talentuar drejt klubeve më të afirmuar të Europës. KF Tirana funksionon si një familje me komunitetin e saj dhe do të vijojnë në çdo moment të jetë në çdo moment përfaqësuesja më e denjë e klubit të tyre të zemrës. Distancohemi nga aktet e dhunës dhe nënvizojmë se si dje dhe çdo herë tjetër, kemi zbritur në fushë vetëm për të luajtur futboll.

Ata që gjykojnë në fushë duhet të jenë të drejtë në vendimet e tyre dhe të denjë për uniformën që mbajnë veshur. Të mos harrojnë kurrë që vendimet e tyre peshojnë në mijëra zemra që mbushin shkallët e stadiumit për çdo ngjyrë skuadre, përfshirë edhe atë kuqezi. Dje, këto zemra, u thyen, u tradhtuan dhe fryma me të cilën bërtasin çdo vit tifozët u vodh.

Pavarësisht padrejtësive dhe qëllimeve dashakeqe kundrejt punës së tyre, në raste të përsëritura të vendimeve të arbitrave, drejtuesit, stafi dhe lojtarët e klubit, kanë qenë të gatshëm të qetësojnë të gjitha situata duke u sjellë konform rregullave. Asnjëherë nuk gjykuam, por mbrojtëm denjësisht dhe me kulturë mundin e një sezoni të gjatë.

I ftojmë të gjitha palët të reflektojnë.