RTSH Sport Live

Real Madrid rikthehet te fitorja

  • 09/01/2022
  • |
  • Spanjë
Real Madrid rikthehet te fitorja
Blancos mposhtin Valencia 4-1 me dopietë nga Benzema dhe Vinicius

Real Madridi harron nokautin me Getafen dhe rikthehet te fitorja, duke mposhtur 4-1 Valencian dhe duke arritur momentalisht në krye të tabelës, duke gjetur gëzimin e parë për vitin 2022. Në Bernabeu, formacioni i Ancelottit bëhet i rrezikshëm sidomos në fund të pjesës së pare, me traversën e goditur me një të majtë të pabesueshme nga Modric. Megjithatë, një minutë më vonë, “blancos” zhbllokuan sfidën: Casemiro u pengua në zonë nga Alderete dhe Benzema, nga pika e bardhë, mundi Cillessen në minutën e 43-të, duke shënuar golin e tij të 300-të me fanellën e Real Madridit. Në fillim të pjesës së dytë, vjen dyfishimi: vetë francezi i shërben Vinicius, i cili kalon mes tre mbrojtësve dhe nuk gabon, duke shënuar 2-0 në minutën e 52-të.

Kaluan vetëm 9 minuta dhe braziliani kompletoi dopietën duke goditur me kokë nga disa hapa pas pritjes së Cillessen në goditjen e Asensio. Duket se ka mbaruar, por Valencia tremb vendasit: Mendy mban në zonë Marcos André dhe provokon penalltinë. Nga pika e bardhë, Courtois hipnotizon Guedes, i cili, megjithatë, arrin të shënojë, duke rihapur pjesërisht lojën në minutën e 76-të.

Megjithatë, ky është një episod sporadik: në minutën e 88-të, në fakt Real Madridi gjeti 4-1 me Benzemën, i cili pranon krosin e Mendy nga e majta, kontrollon në zonë dhe godet me të djathtën, duke mposhtur Cillessen. Blancos ngrihen në 49 pikë, momentalisht në +8 ndaj Sevillës, e cila megjithatë ka dy ndeshje më pak se skuadra e Ancelottit. Humbja e dytë radhazi për Valencia, e cila mbetet e palëvizshme në 28 pikë.