RTSH Sport Live

Reja para San Marinos: Hysaj kapiten, Strakosha në portë, Kamberi…

  • 30/03/2021
  • |
  • Kombëtarja
Reja para San Marinos: Hysaj kapiten, Strakosha në portë, Kamberi…
Trajneri i kuqezinjve ka analizuar ndeshjen e radhës, atë me San Marinon, që do të luhet të mërkurën, ora 20:45

Përfaqësuesja kuqezi do të zbresë në San Marino Stadium, Serravalle, në orën 20:45 për ndeshjen e tretë në këto kualifikuese të Kupës së Botës 2022. Një fitore 1-0 me Andorrën dhe një humbje 2-0 me Anglinë, tani është moment për të matur forcat me një përfaqësuese si San Marino.

Trajneri i kuqezinjve, Edi Reja është paraqitur në konferencën për shtyp, bashkë me mbrojtësin Hysaj, të graduar kapiten në mungesë të Berishës, për të komentuar këtë sfidë të radhës.

Atmosfera dhe kundërshtari – “San Marino është një skuadër e organizuar, e njoh trajnerin Varela prej kohësh, di cilësitë që ka. Duhet të jemi të vëmendshëm, është një skuadër që punon mirë jo vetëm në mbrojtje, por edhe në kundërsulm. Duhet të jemi të kujdesshëm. Mendoj se kemi shumë zgjidhje për këtë sfidë dhe mund t’iu them se në fushë do të zbresin lojtarët që janë më në formë. Modulin do e vendosim duke u bazuar te lojtarët, e rëndësishme është që të jetë një skuadër e ekuilibruar. Përsa i përket atmosferës, kur humbet është gjithmonë e njëjtë. Mund të them se bëmë një ndeshje të mirë ndaj një rivali si Anglia. Nuk luajtëm ashtu siç donim, kishim menduar ti kapnim në kundërsulm. Ata nuk gjuajtën në portë për 35 minuta, arritën të shënojnë se kanë lojtarë të rëndësishëm”.

Hysaj dhe Strakosha – “E kam thënë edhe më parë: kur nuk luan Berisha, Hysaj mer shiritin e kapitenit. Po, nesër në portë do të aktivizohet Strakosha. Kemi dy portierë të fortë, ma bëjnë të vështirë zgjedhjen”.

Çështja Kamberi? – “Nuk ka një çështje Kamberi në Kombëtare, më vjen keq që qarkullojnë lajme të tilla. Lojtari nuk mund të aktivizohej ndaj Anglisë se kishte dhimbje. I është nënshtruar vizitave dhe nuk ka rezultuar ndonjë gjë, por ai ka thënë se ndjente dhimbje. Kamberi erdhi këtu me ne, por do të kthehet në klubin e tij, sepse nuk mund të luajë”.

Pozicioni i Gjimshitit – “Përsa i përket Gjimshitit, mund të them se bën të njëjtën gjë edhe në Kombëtare, ashtu siç bën tek Atalanta. Me ne luan në qendër dhe nuk ka shumë mundësi për të ecur përpara. Duhet të provojmë edhe për sulmin. Në përfaqësuese kemi pak kohë në dispozicion, ndërsa në klube i kanë të gjitha mundësitë për të bërë shumë prova”.

Mundësitë në Grupin I – “Kemi rënë në një grup shumë të fortë, e njohim forcën e kundërshtarëve. Po rritemi, kemi filluar të jemi më të ndërgjegjshëm, por duhet të bëjmë ndojë hap të rëndësishëm. Ky grup në të cilin ndodhemi do të na tregojë se ku kemi arritur. Dëshiroj një rritje konstante. Me Anglinë, apo kur të luajmë me Poloninë apo Hungarinë, do të kemi mundësinë të kuptojmë se ku jemi”, ka deklaruar Reja.