Lojërat Olimpike Paris 2024 arritën një rezultat ekonomik pozitiv më shumë se se pritej. Në përfundim të tyre, pas një bilanci të detajuar, organiztorët e kësaj olimpiade deklarojnë shifrën prej një fitimi neto 26.8 milionë euro. Gjithashtu është shënuar edhe shifra rekord prej 12.1 milionë biletash të shitura.
Edhe pse është mbyllur që në muajin gusht, vetëm tani u mundësua përfundimi i një bilanci ekonomik për Olimpiadën Paris 2024. Komiteti Organizativ i kësaj veprimtarie ka komunikuar për një rezultat ekonomik më shumë se pozitiv, duke u mbyllur me një fitim neto prej 26.8 milionë euro. Por jo vetëm kaq.
Qarkullimi total ishte 4.48 miliardë euro dhe shpenzimet totale 4.45 miliardë euro. Një çelës i rëndësishëm i suksesit ekonomik ishte shitja rekord në historinë e Lojërave Olimpike prej 12.1 milionë biletash. Ky komponent gjeneroi të ardhura të jashtëzakonshme në sektorin e hotelerisë, me një rritje prej 348 milionë euro krahasuar me parashikimet fillestare.
"Këto të dhëna tregojnë suksesin e Lojërave Olimpike," nënvizoi Komiteti organizativ, duke theksuar se një pjesë e madhe e të ardhurave vijnë nga burime private, duke reduktuar nevojën për mbështetje publike. Një tjetër fakt i rëndësishëm i komunikuar nga Komiteti Organizativ është se falë këtyre numrave, Paris 2024 nuk kishte nevojë të aksesonte 43 milionë eurot e vëna në dispozicion si fond emergjence nga organet publike.
Thomas Bach, presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), më në fund deklaroi se Lojërat Olimpike 2024 kanë përfshirë afërsisht 50% të popullsisë së botës, me një audiencë të vlerësuar prej 5 miliardë spektatorësh.