RTSH Sport Live

Rikthehet kampionati i rrjetës

  • 15/02/2024
  • |
  • Sporte të tjera
Rikthehet kampionati i rrjetës
Partizani – Barleti Volej dhe Partizani – Studenti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar

Partizani – Barleti Volej dhe Partizani – Studenti janë ndeshjet e volejbollit, të cilat do të vijnë në transmetim në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, kjo për llogari të kampionatit.

Luhet java e dhjetë dhe Partizani i Amarilda Prengës vjen nga një paraqitje e mirë jo vetëm në Kampionat, por dhe në Ligën “Gjergj Kastrioti”, atje ku të dielën ka fituar ndeshjen e fundit në grup me Pogradecin, 3-0. Dhe në gjysmëfinalen e kësaj Lige, tashmë më 1 mars, do të jetë përballë Dritës së Gjilanit. Ndërkohë Barleti Volej vjen nga humbja 3-2 me Vllazninë dhe si e tillë kërkon të kthehet tek rezultatet pozitive përballë Partizanit. Sakaq po për javën e dhjetë të Superligës së femrave, Vllaznia do të presë Pogradecin, Tirana Lushnjën dhe Skënderbeu, Teutën.

Tek meshkujt ashtu sikurse është parë jo vetëm në fazën e parë, por dhe në fazën e grupeve të Kupës së Shqipërisë, Partizani – Studenti mund të cilësohet një përplasje brazilianësh. Që do të thotë se premtohet spektakël. Për Partizanin duket se do të jetë një mbingarkesë e madhe sepse nga e premtja në të premten do të luajë katër ndeshje. Respektivisht me Studentin në kampionat, Vllaznia në Ligën “Gjergj Kastrioti” dhe kampionat e Erzenin në Kupën e Shqipërisë. Sfidë interesante pritet dhe Vllaznia – Erzeni, apo dhe Skënderbeu – Teuta e Tirana – Elbasani. Kampionati premton spektakël në rrjetën shqiptare.