RTSH Sport Live

Rikthehet Kupa, të mërkurën gjysmëfinalet

  • 01/04/2024
  • |
  • Futboll Vendi
Rikthehet Kupa, të mërkurën gjysmëfinalet
Egnatia-Vllaznia e Kukësi-Tirana, historia e përballjeve midis katër gjysmëfinalisteve

Kupa e Shqipërisë rikthehet të mërkurën me ndeshjet e para gjysmëfinale. Egnatia e Vllaznia përsërisin gjysmëfinalen e edicionit të kaluar, ndërsa Kukësi e Tirana kanë më tepër histori përballjesh, e fundit në finalen 2019.

Të mërkurën do të luhet akti i parë i gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë, me përballjet në Rrogozhinë e Kukës, ku skuadrat vendase do të presin përkatësisht Vllazninë e Tiranën. Nuk do të ketë fitues të ri, pasi të katërta gjysmëfinalistet e kanë fituar më parë trofeun, me Tiranën që mban rekordin si 16 herë fituese, Vllaznia 8 herë, Kukësi 2 dhe Egnatia 1 herë, vitin e kaluar. Çifti Egnatia-Vllaznia është më i forti në letër, me dy skuadrat më të mira të kampionatit.

I njëjti çift u ndesh në gjysmëfinale edhe vitin e kaluar, kur rrogozhinasit kaluan më tej pas barazimit 1-1 në Shkodër dhe fitores 1-0 në Rrogozhinë. Deri tani, kjo ka qenë hera e vetme që këto dy skuadra janë ndeshur në Kupë.

Çifti tjetër gjysmëfinal ka më tepër histori, me katër përballje në Kupën e Shqipërisë, përfshirë edhe një finale, atë të vitit 2019, fituar 2-1 nga Kukësi, në Elbasan Arena.

Veç finales, që është përballja e fundit midis tyre në këtë kompeticion, Kukësi është kualifikuar 2 herë kundër Tiranës, më 2012, pas fitores 4-0 e humbjes 3-2, dhe më 2018, pas barazimit 1-1 e fitores 1-0.

Bardheblutë kanë vetëm një kualifikim, më 2017, pas fitores 2-1 e barazimit pa gola, për të vazhduar më tej deri në fitimin e trofeut, që është i fundit deri tani për Tiranën.