RTSH Sport Live

Rrëmuja e Bajernit në fushën e Freiburg, 12 lojtarë në fushë

  • 02/04/2022
  • |
  • Gjermani
Rrëmuja e Bajernit në fushën e Freiburg, 12 lojtarë në fushë
Bavarezët në 'epërsi numerike' për 17 sekonda për shkak të një keqkuptimi për një zëvendësim

Momente konfuzioni në minutat e fundit të ndeshjes mes Freiburgut dhe Bayern Munichut, e cila u ndërpre për disa momente dhe më pas përfundoi mes diskutimeve pas 8 minutave shtesë, pasi për disa kohë, pikërisht për 17 sekonda, në fushë ishin 23 lojtarë. Në fakt, bavarezët u gjendën duke luajtur me 12 lojtarë pas një gabimi të ndodhur në momentin e zëvendësimeve dhe më pas të shpjeguar për 'Sky' nga Nagelsmann në fund të ndeshjes.

Midis 84' dhe 85', kur rezultati ishte 1-3, trajneri i Bayern bëri një ndryshim të dyfishtë: në lojë Sabitzer dhe Süle, jashtë Tolisso dhe Coman. Ky i fundit, megjithatë, nuk u largua nga fusha për shkak të një gabimi në tabelën elektronike, që sinjalizoi largimin e numrit 29, numri i vjetër i Coman aktualisht i lirë, në vend të 11, numri aktual i tij.

Nuk ishte arbitri Christian Dingert ai që e vuri re atë që po ndodhte, por qendërmbrojtësi i vendasve, Nico Schlotterbeck, i cili pas të 90-tës shpjegoi para mikrofonëve: “Vura re që Süle hyri në fushë por askush nuk doli, ndaj menjëherë numërova lojtarët e Bayern dhe më pas njoftova arbitrin. Mendoj se po të mos e kisha raportuar, Dingert nuk do ta kishte vënë re kurrë situatën”.

Pas 17 sekondash pasimesh të shkurtra, arbitri e ndërpreu lojën. Ndeshja u ndal për gati 6 minuta në një hutim të përgjithshëm dhe më pas rifilloi dhe përfundoi me 8 minuta rikuperim. Një rrëmujë që teknikisht mund ta çojë Freiburgun të apelojë për të kërkuar që ndeshja të përsëritet, edhe nëse ndikimi i asaj që ndodhi në lojë dhe në rezultat ishte në thelb zero.