RTSH Sport Live

RTSH prezanton Botërorin e Klubeve

  • 02/02/2021
  • |
  • Evente Sportive
RTSH prezanton Botërorin e Klubeve
Kampionët kontinentalë do të duelojnë në Doha të Katarit për trofeune vitit 2020

Botërori i klubeve dhe RTSH ndezin motorrët për një tjetër edicion, të 17-in në historinë e këtij trofeu që ndryshe nga vitet e shkuara, do të zhvillohet në muajin Shkurt për shkak të pandemisë që ka mbërthyer globin.

Kampionët e 6 konfederatave dhe skuadra kampione e vendit organizator që në këtë rast është Katari, do të përplasen për të shpallur fituesin e edicionit 2020. Tërheqja e Auckland City për shkak të rasteve të shtuara me COVID-19 shtyu fillimin e kompeticionit të caktuar për në datën 1 Shkurt.

Skuadra nga Zelanda e Re është karantinuar e gjitha në Auckland dhe si pasojë, katariotët e Al-Duhail fituan 3-0 në tavolinë ndërsa gara do të startojë zyrtarisht në datën 4 Shkurt.

Palmeiras që u shpall kampione e Amerikës së Jugut vetëm tre ditë më parë, ka udhëtuar menjëherë drejt Katarit ku bashkë me Bayernin e Mynihut do të kërkojnë finalen për të siguruar një trofe që në Bavari mungon që prej vitit 2013 ndërsa brazilianët nuk e kanë fituar asnjëherë.

Dy janë stadiumet që do të presin këtë eveniment, “Ahmad Bin Ali Stadium” dhe “Education City Stadium” me kapacitet të reduktuar deri në 30 % spektatorë. Në datën 4 Shkurt, RTSH Sport do të startojë transmetin me ndeshjen UANL - Ulsan Hyundai në orën 15 ndërsa në po të njëjtën ditë por në kanalin RTSH Plus në orën 18:30 Al-Duhail sfidon egjiptianët e Egypt Al Ahly.

Palmeiras do të zbresë në fushë në datën 7 Shkurt ndërsa Bayern Munchen një ditë më pas. Kampionët e Amerikës së Jugut dhe ata të Europës hyjnë në garë në fazën gjysmëfinale, ndërsa të gjitha duelet, përfshirë edhe atë të vendeit të tretë dhe të katërt, do të transmetohen drejtëpëdrejtë në ekranin publik. Finalja e madhe do të luhet në datën 11 Shkurt në orën 19:00.