Mungonte vetëm njoftimi zyrtar, i cili mbërriti ditën e sotme. Filippo Inzaghi nuk është më trajner i Salernitanas.
Lajmi ishte në ajër mëngjesin e djeshëm, kur presidenti i Salernitanas, Danilo Iervolino, vendosi të shkarkojë trajnerin pas disfatës ndaj Empolit, që kompromenton seriozisht shanset e mbijetesës në elitën e futbollit italian. Inzaghi kishte dhënë dorëheqjen në dy raste të mëparshme, të dyja herët dorëheqja nuk ishte pranuar nga vetë numri një I klubit Italian.
Nuk ka kaluar shumë kohë dhe është zyrtarizuar edhe trajneri i ri. Fabio Liverani është trajneri i ri i Salernitana-s. Lajmin e ka bërë të ditur klubi me një deklaratë zyrtare. Trajneri roman zëvendëson Filippo Inzaghin, me synimin për të arritur shpëtimin: “U.S. Salernitana 1919 njofton se ka arritur një marrëveshje me zotin Fabio Liverani dhe se i ka besuar atij drejtimin teknik të ekipit të parë”.
Liverani ka firmosur për 6 muaj me opsion rionovimi nëse arrihet mbijetesa në Serie A.