RTSH Sport Live

Sasha Donçiç nuk përmban zemërimin për shkëmbimin e të birit: Dallas hipokrit, Luka s’meritonte trajtim të tillë!

  • 21 orë para
  • |
  • Basketboll
Sasha Donçiç nuk përmban zemërimin për shkëmbimin e të birit: Dallas hipokrit, Luka s’meritonte trajtim të tillë!

Sasha Donçiç ka qenë po aq i habitur sa edhe i biri Luka kur mësoi për shkëmbimin e shekullit në NBA. Në një ndërhyrje në kanalin televiziv slloven “Arena Sport 1”, Sasha Donçiç nuk nguroi që të përdorte as fjalën “hipokrizi” kur foli për mënyrën se si Dallas trajtoi të birin edhe pse ky i fundit ndihmoi ekipin teksan të shkonte në NBA Finals vitin e kaluar (për herë të parë që prej 2011-ës).

“Jam dakord se nëse nuk të pëlqen më një lojtar mund edhe ta shkëmbesh. Dikush ndryshon mendim dhe kjo është e pranueshme, por të bësh diçka të tillë pa lajmëruar askënd mendoj se është një sjellje hipokrite e individëve që e kanë bërë. Kjo më vret më shumë si mua edhe tim bir”, tha Sasha Donçiç.

Sipas medieve amerikane pas shkëmbimit të famshëm që ndodhi në aksin Dallas-Los Anxhelos nuk fshihet vetëm stili i lojës i sllovenit, i cili është një lojtar sulmues apo edhe pesha e tij (është gati 20 kg mbipeshë).

Thuhet se një arsye që ka shtyrë Dallasin të privohet nga Luka Donçiç është fakti se verën që vjen slloveni do të kishte mundësi që të merrte super kontratën sipas së cilës ai do të përfitonte 345 milionë dollarë amerikanë në pesë vitet e ardhshme.