Një duel pa histori ai mes SHBA-së dhe Serbisë në volejbollin e femrave, ndeshje e vlefshme për gjysmëfinalen e Olimpiadës. Amerikanet shkatërruan në mënyrën më të lehtë të mundshme 3-0 ballkanaset edhe pa Thompson të dëmtuar dhe Poulter të sapokthyer nga një dëmtim. 25-19, 25-15, 25-23 u mbyll dueli mes vajzave të trajterit Karch Kiraly dhe Serbisë, kampione Europe dhe Bote në fuqi dhe njëkohësisht medalja e argjendtë e 5 viteve më parë në Rio.
Ballkanaset që ndëshkuan Italinë pretendente në cerekfinale, nuk bënë pothuajse asnjë rezistencë duke paguar disi edhe fazën e varfër përgatitore pa asnjë ndeshje miqësore në prag të Olimpiadës. Në krahun tjetër, trajneri amerikan, Kiraly kërkon të hyjë në histori pasi më parë ka triumfuar edhe tre herë të tjera në lojrat olimpike, dy herë si lojtar volejbolli për sallat e mbyllura dhe një herë si lojtar i volejbollit të plazhit.
Kjo është mundësia e artë që ai të regjistrojë një të artë edhe në rolin e trajnerit. Biletë finaleje edhe për ekipin amerikan të femrave të basketbollit. Në gjysmëfinalen tjetër fotokopje kundër Serbisë, nuk pati sërish histori pasi vajzat amerikane dominuan 79-59 në një ndeshje ku morën kryesimin që nga minuta e parë.
Ishte Brittney Griner me 15 pikë dhe 12 ribaunde që frymëzoi amerikanet, të cilat do të kërkojnë të artën e gjashtë rresht në lojërat olimpike duke konfirmuar dominimin amerikan në lojën e koshit. Një gjë të tillë e ka bërë ekipi amerikan i basketbollit në vitet 1936-1968.