RTSH Sport Live

Shehi kërkon përqëndrim

  • 17/09/2023
  • |
  • Abissnet Superiore
Shehi kërkon përqëndrim
Trajneri i Tiranës nuk i “zë besë” Kukësit

Tirana drejt Kukësit me optimizmin që i jep vazhdimësia në paraqitje dhe rezultate. Skuadra bardheblu do të vizitojë qytetin verilindor të hënën në orën 16:00 për të konsoliduar pozitat në krye por trajneri Orges Shehi, kërkon vlerësim dhe përqëndrim ndaj një kundërshtari në rritje.

“Ndeshjen e fundit skuadra e Kukësit ka bërë një paraqitje të mirë, atë me Dinamon. Duhet të jemi të bindur që nuk luajmë përballë një kundërshtari që ka zero pikë, por përballë një kundërshtari që kërkon të marrë pikë për tu ngjitur në renditje”, ka theksuar Shehi.

Tirana nuk ka marrë ende formën e plotë por 7 pikë pas 3 javëve të para janë një sinjal pozitiv për tifozët bardheblu.

“Çdo skuadër që formatohet mirë, që ka element dhe është pretendente, mund të ulë pak këmbën nga gazi sepse mendon se e katërta do të arrijë, ne nuk duam që kjo të ketë vend tek ne, edhe pse formati është i tillë dhe katër të parat do të luajnë me njëra tjetrën dhe renditja nuk ka ndonjë rëndësi të madhe. Ne kërkojmë që të jemi gjithmonë ashtu siç i ka hije këtij klubi, të luftojmë gjithmonë “.

Grupi aktual pothuajse i plotë me probleme të vogla, ndërsa Bruno Lulaj do të jetë një element shtesë në armatën kryeqytetase.

“Sigurisht që çdo fitore ndihmon shumë nga ana e moralit dhe na jep shtysë për vazhdimësinë. Shpresojmë të vazhdojmë me performancë të mirë edhe në ndeshjen ndaj Kukësit”, ka deklaruar Lulaj.

Tirana vjen në këtë duel pas fitores së vështirë 3-1 me Skënderbeun ndërsa Kukësi është ende në kërkim të pikëve të para këtë sezon.