RTSH Sport Live

Shehi vlerëson Egnatian: Për t’i mundur nuk mjaftojnë vetëm këmbët

  • 25/05/2024
  • |
  • Abissnet Superiore
Shehi vlerëson Egnatian: Për t’i mundur nuk mjaftojnë vetëm këmbët

Partizani luan në “Air Albania” përballë Egnatias (nesër, 19:00), finalen e sezonit me qëllimin për të mbrojtur titullin kampion. Orges Shehi, në konferencën e sotme për shtyp, në prag të finales së “Final Four”, kërkoi përqendrim maksimal.

“Është ndeshje e fundit dhe më e rëndësishmja, pasi vendos skuadrën kampione. Është një finale që vë përballë dy ekipet më të forta dhe triumfuese do të dalë ekipi që gabon më pak. Protagonistët në fushë janë lojtarët, ndërsa trajnerët i udhëheqin ata. Aktorët më të rëndësishëm janë futbollistët dhe mënyra se si do ta interpretojnë lojën. Janë të pakta finalet që skuadrat dominojnë të gjithë takimin. Episodet mendoj se do të bëjnë diferencën”, tha Shehi.

I pyeëtur mbi Egnatian, Shehi tha: “Skuadër serioze. Ne do të japim më të mirën për të fituar. Kemi një president që nuk lodhet kurrë, kemi tifozët më të mirë dhe lojtarët më të shkëlqyeshëm. Kjo finale do të jetë spektakolare. Fjala finale është e madhe dhe mendoj se duhet ta fitojmë me tru dhe këmbë. Shpresoj që të kemi një mbështetje të madhe të tifozeve”.

Ndeshja finale ka ardhur në momentin e duhur për Partizanin pasi numëron 6 fitore radhazi. Mbi këtë pikë Shehi u shpreh: “Kemi bërë mirë në ndeshjet e fundit. Përveç fitoreve, kemi shprehur një lojë të mirë dhe kemi treguar agresivitet, grintë, kompaktësi që janë të domosdoshëm. Është një moment i mirë dhe shpresoj që çdo gjë të shkojë siç duhet nesër. Na duhet edhe pak kujdes”.