RTSH Sport Live

Sheva, kundër IOC

  • 02/02/2023
  • |
  • Të tjera
Sheva, kundër IOC
Ish-sulmuesi kërkon përjashtimin e plotë të rusëve dhe bjellorusëve

Politika nuk ka vend në sport. Kështu e nis postimin e tij Andrij Schevchenko, një nga ukrainasit më të famshëm të sportit botëror. Ish Topi i Artë shkruan një mesazh domethënës në një postim të gjatë në rrjetet sociale ku shton se nuk duhet të harrojmë që lufta është më shumë se politikë.

“Kompeticionet sportive të nivelit ndërkombëtar si psh. Olimpiada, janë mundësi për të shpërndarë mesazhe të qarta për njerëzit në të gjithë planetin. Nëse atletët nga Rusia apo Bjellorusia hyjnë në arenë me apo pa flamuj, ky gjest duhet që të reflektojnë një qëndrim të hapur të Komitetit Olimpik që duhet t’i japë mesazhin botës se lufta ka mbaruar dhe të gjithë mund të falen. Por lufta nuk ka mbaruar sepse çdo ditë shkatërron qyetet tona, shkatërron jetën e fëmijëve tanë dhe kërcënon ekzistencën tone”.

“Bota duhet ta kujtojë një gjë të tillë. Bota duhet ta dijë që ne luftojmë për paqen dhe për të ruajtur lirinë tonë. Unë i kërkoj Komitetit Olimpik Ndërkombëtar që të mos lejojë atletët rusë dhe bjellorusë të garojnë në asnjë kompeticion, qoftë edhe pa flamujt e vendeve të tyre, derisa lufta të ketë mbaruar dhe të dënojë në mënyrë të qartë e të prerë agresionin rus”, thekson ish-sulmuesi i Milanit dhe Chelsea.