Shpresat kuqezi janë rikthyer të martën në fushën e blertë, teksa janë përballur me Malin e Zi në takimin e 4-t në kuadër të grupit E të Eliminatoreve të Kampionatit Evropian të 2025-ës për Nën-21-vjeçarët. Takimi i zhvilluar në Stadiumin “Egnatia Arena” në Rrogozhinë dhe që është sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, ka parë kuqezinjtë e trajnerit Alban Bushi të nisë më mirë ndeshjen dhe kjo epërsi e tyre do të konkretizohet në minutën e 26-të, kur Shpendi do të pengohet në mënyrë të parregullt brenda zonës dhe Berisha nuk gabon nga pika e bardhë.
Detyra e Shpresave do të thjeshtohet në minutën e 38-të, kur Bajoviçi ndërhyn ndaj Berishës dhe ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë brenda 17 minutash, duke dalë nga loja me karton të kuq, duke lënë skuadrën malazeze me 10 lojtarë. Me epërsinë minimale të Nën-21-vjeçarëve kuqezinj do të mbylleshin 45 minutat e para, ndërsa në ato të dytat, Shpresat do të vazhdojnë të mbizotërojnë dhe, pak minuta pasi shtylla u ka mohuar golin, do të jetë Stivën Shpendi që do të korrigjojë shënjestrën dhe do të përshëndesë rrjetën.
Me Shpresat në kontroll të lojës, por me fitoren 2-0 të kuqezinjve do të mbyllet kjo përballje ndaj Malit të Zit dhe Shqipëria ngjitet në kuotën e 9 pikëve pas 4 ndeshjeve, ndërsa sfida e radhës për skuadrën e Bushit është ajo e 17 nëntorit 2023 në Rumani.