RTSH Sport Live

Shqipëria, llogaritë e kualifikimit

  • 18/11/2024
  • |
  • Kombëtarja
Shqipëria, llogaritë e kualifikimit
Kuqezinjtë janë ende në lojë për të fituar grupin, por mund të dalin edhe të fundit

Shqipëria ka mundësi të dalë e para në grupin e saj në Nations League në rast fitoreje me Ukrainën të martën, por mund të renditet edhe e fundit nëse humbet. Të katërta skuadrat janë në lojë për gjithçka, ndaj dy ndeshjet e fundit ofrojnë shumë kombinime për renditjen përfundimtare.

Katër skuadra që luajnë për gjithçka. Kjo është situata në Grupin 1 të Ligës B në Nations League në prag të ndeshjeve të fundit, të cilat do të luhen të martën, më 19 nëntor. Shqipëria pret Ukrainën, ndërsa Çekia pret Gjeorgjinë. Kuqezinjtë e Silvinjos janë ende në lojë për vendin e parë në grup, ndonëse tashmë nuk është gjithçka në duart e tyre. Për të fituar grupin dhe ngjitur direkt në Ligën A në edicionin e ardhshëm, për Shqipërinë është kusht fitorja kundër Ukrainës.

Më pas duhet të shpresojë që Çekia dhe Gjeorgjia të ndahen në barazim. Ekziston edhe një variant shumë më i vështirë, që kërkon fitoren minimale të Gjeorgjisë në Pragë dhe një fitore me pesë gola diferencë të kuqezinjve kundër Ukrainës. E sigurt është që fitorja e çon Shqipërinë të paktën në vendin e dytë, në varësi të rezultatit të takimit Çeki-Gjeorgji.

Nëse Çekia fiton kundër Gjeorgjisë, atëherë për Shqipërinë mjafton edhe barazimi për të zënë vendin e dytë në grup e për t’u ndeshur në playoff me një nga skuadrat e treta në Ligën A, për të synuar ngjitjen një ligë më lart. Në rast barazimi në të dyja ndeshjet, atëherë Shqipëria e mbyll në vendin e tretë dhe luan në play-off me një nga të dytat e Ligës C për të siguruar qëndrimin në Ligën B.

Në rast humbjeje nga Ukraina, atëherë Shqipëria zë vendin e fundit dhe zbret në Ligën C. Shorti për play-offin do të hidhet të premten më 22 nëntor në selinë e UEFA-s, ndërsa ndeshjet do të luhen më 20 e 23 mars.

Në rast se Shqipëria do të marrë pjesë në play-offin për t’u ngjitur në Ligën A, do ta luajë ndeshjen e parë në shtëpi dhe të dytën jashtë. Nëse do të zërë vendin e tretë dhe luan me një nga të dytat e Ligës C, ndeshjen e kthimit do ta ketë në shtëpi.