RTSH Sport Live

Shqipëria U21, “poker” ndaj Moldavisë

  • 18/11/2024
  • |
  • Kombëtarja
Shqipëria U21, “poker” ndaj Moldavisë
Kuqezinjtë kanë fituar miqësoren e dytë të luajtur në stadiumin e Vorës me rezultatin 4-0.

Kombëtarja U-21 fitoi me rezultatin e thellë 4-0 ndeshjen e dytë miqësore ndaj Moldavisë. Në takimin e luajtur në stadiumin e Vorës pasditen e sotme, kuqezinjtë e Alban Bushit triumfuan falë golave të realizuar nga Rashica, Ismaili, Rama dhe Daka.

Trajneri Bushi hodhi në fushë këtë formacion: Sina, Selimaj, Fikaj, Kote, Gudjufi, Rashica, Dodaj, Ismaili, Kurti, Elezaj, Ajvazi.

Kuqezinjtë e kërkuan golin që në minutat e para të pjesës së parë. Në minutën e 16-të, është Rashica ai i cili kalon në avantazh Shqipërinë. Elezaj merr topin dhe lëviz bukur në fushë, kroson për Gudjufin dhe ky i fundit dhuron topin për Rashicën, i cili i vetëm në zonë nuk gabon dhe shënon.

Gjatë këtij fraksioni, skuadra krijon edhe disa raste të tjera por pa sukses. 45 minutat e para mbyllen me rezultatin 1-0 për Shqipërinë.

Në pjesën e dytë, kuqezinjtë realizojnë edhe tre gola të tjerë. Minuta e 54-t dhe Shqipëria shënon golin e dytë me Ismailin. Është Kote ai i cili kroson nga këndorja teksa topi gjen Ismailin në zonë. Ky i fundit tund rrjetën moldave dhe dyfishon shifrat.

Trajneri Bushi bën disa zëvendësime në pjesën e dytë, me Ajvazin që i lë vendin Tresës, Gudjufi zëvendësohet nga Tahiri dhe Dodaj nga Maksuti. Ndërkohë Haxhari merr vendin e Selimajt, Rama atë të Rashicës, Çipi merr vendin e Ismailit, Tola të Kurtit, Alij të Elezajt dhe Daka të Kotes.

Kuqezinjtë shënojnë golin e tretë dy minuta përpara fundit të kohës së rregullt pas një aksioni fantastik. Daka pason për Masutin dhe ky i fundit pason për Ramën, i cili gjen rrjetën dhe shënon. Në minutën e 94-t është vetë Daka ai i cili realizon golin e katërt për Shqipërinë, duke vulosur rezultatin 4-0 për kuqezinjtë.

Kjo ishte ndeshja e dytë miqësore mes Shqipërisë dhe Moldavisë. Miqësorja e parë e luajtur me 15 nëntor u mbyll me barazimin 1-1.