RTSH Sport Live

Singapori në festë

  • 27/09/2022
  • |
  • Formula 1
Singapori në festë
Përgatitje të mëdha për garën e Formula 1

Me biletat që shiten shpejt dhe suitat e festave që kushtojnë deri në 70.000 dollarë në natë, Singapori po përgatitet për garën e parë të Formula 1 në Azi këtë fundjavë, e cila mungonte prej dy vitesh për shkak të pandemisë. Dhjetëra mijëra tifozë pritet të mblidhen për Çmimin e Madh të Singaporit, nga e premtja në të dielë, ndërsa gara që dhuron spektakël nën efektin e dritave ka zgjuar kërshërinë e të gjithëve. E duke i shtuar një element tjetër atmosferës së festës në Singapor, Max Verstappen i Red Bull mund të ruajë titullin e tij botëror nëse del fitues në cirkuitin e ndriçuar të rrugëve që përfshin Marina Bay.

Çmimi i Madh i Singaporit është padyshim një nga garat më magjepsëse në kalendarin e F1. Pranë pistës do të organizohen koncerte me emra të mëdhenj të muzikës botërore, ndërsa do të zhvillohen rreth 25 takime dhe ngjarje të korporatave të ndryshme ndërkombëtare.

Edhe pse autoritetet e garës nuk i kanë publikuar shifrat duket se shitjet e biletave për ngjarjen më të madhe të Singaporit e kanë tejkaluar tashmë vitin 2019 kur erdhën rreth 268,000 spektatorë. Çmimet e biletave të garës këtë vit kushtojnë nga 70-100.000 dollarë. Singapori ka hequr të gjitha kufizimet e Covid-19, përveç mbajtjes së maskave brenda autobusëve dhe trenave të metrosë, pasi vaksinoi shumicën e popullsisë së tij prej afro gjashtë milionë. F1 do të jetë festa e madhe e Singaporit për daljen nga Covidi. Për të parë garën e Formula 1, rezervimet e hoteleve kanë qenë të shpejta, edhe me tarifat e dhomave që vlerësohen të jenë deri në 50 për qind më të larta se sa ishin para Covidit. Çmimet janë rritur duke kaluar 2000 dollarë në natë.