RTSH Sport Live

Skandal te peshëngritja, Veli me doping

  • 20/08/2022
  • |
  • Sporte të tjera
Skandal te peshëngritja, Veli me doping
Gjurmë stanozoli në testin A për Kampionen e Europës së peshës 55 kilogram

Skandal në peshëngritjen shqiptare, ndërsa Evangjeli Veli, Kampione Europe dhe nënkampione Europe në peshën deri në 55 kilogram, ka rezultuar pozitive në testin antidoping. Bëhet fjalë për testin A, i cili është kryer menjëherë pas garës së 29 majit në Tiranë, ndërsa, sipas informacioneve që vijnë nga Qendra Ndërkombëtare e Antidopingut, ka patur gjurmë stanozoli një substancë e ndaluar. Tanimë është kryer dhe Testi B, i cili kishte kohë deri më 3 gusht, ndërsa vetëm pas asaj përgjigje mund të marrë formë zyrtare vendimi. Për momentin, Veli është e pezulluar nga Federata Botërore e Peshëngritjes, si e tillë dhe nga Federata Shqiptare e Peshëngritjes, megjithëse presidenti Elez Gjoza tregon se tanimë janë çështje personale midis sportistit dhe institucioneve ndërkombëtare në lidhje me dopingun.

“Ne – thotë Gjoza – zyrtarisht e-mail apo dokument për këtë gjë nuk kemi. Jemi munduar të lidhemi me sportisten. Mund të themi dyshohet, por jo përfundimtare, pasi ende nuk kemi gjë. Do të duhet të presim edhe testin B dhe vetëm atëherë mund të shprehemi. Ne realisht të martën do të mbledhin Bordin Ekzekutiv, atje ku do të thërrasim edhe Velin, por dhe Caljen e Qerimajn për t’i pyetur në lidhje me e-mailit që kanë marrë nga Agjencia Botërore Antidoping. Ne nuk mund të ngutemi, sepse mund të rezultojë që gjithçka është e pastër”.

Tanimë gjithçka varet nga testi B, atje ku nëse jepet vendimi përfundimtar, atëherë Veli rrezikon deri në 8 vite pezullim, sepse edhe më 2018-ën ka qenë pozitive me steroid anabolik. Rezultati i testit B del në muajin shtator dhe deri atëherë, burime pranë sportistes, bëjnë të ditur se do të ndërmarrë edhe hapa ligjorë kundër Qendrës Ndërkombëtare të testimeve Antidoping për t’u mbrojtur.

Evangjeli Veli me 3 medaljet e fituara, 2 ari dhe një argjendi, do të përfitonte 72 milion lekë të vjetra nga shteti shqiptarë, të cilat për momentin janë ngrirë dhe në rast se edhe testi B rezulton i njëjtë jo vetëm që nuk do t’i marrë por edhe do t’i duhet të dorëzojë 3 medaljet e marra. Gjithsesi hijet e dopingut, ndërsa më parë kishte dalë edhe Herlsion Ismailaj, rëndojnë dhe trondisin peshëngritjen shqiptare.