RTSH Sport Live

Skënderbeu dhe Dinamo sigurojnë Superioren

  • 23/04/2023
  • |
  • Futboll Vendi
Skënderbeu dhe Dinamo sigurojnë Superioren
Blutë munden 1-2 në Lushnje përballë vendasve, takimi erdhi drejtpërdrejt në RTSH Sport

Java e 24-t e Kategorisë së Parë i ka luajtur të dielën të 6 ndeshjet e saj, teksa ajo e 7-ta, Luzi 2008-Tërbuni, është fituar nga skuadra vendase në tavolinë me shifrat 3-0, pasi skuadra pukjane është përjashtuar tashmë nga kampionati për arsye disiplinore. Dhe, të dielën pasdite, Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka sjellë duelin më të spikatur të kësaj jave, përballjen midis Lushnjes dhe Dinamos. Kjo përballje, që u luajt në Stadiumin “Roza Haxhiu” të Lushnjës ka parë dy skuadrat të vijnë me objektiva të kundërt, teksa vendasit synonin të largoheshin nga zona e ftohtë e “play-out”-it, kur blutë kryeqytetas për të ruajtur hapin me rivalen që synon ngjitjen në Kategorinë Superiore, Skënderbeun, por edhe për të ruajtur largësinë me ndjekësen më të afërt, Flamurtarin.

Pjesa e parë ka qenë e barazpeshuar dhe, teksa ka parë Dinamon të provojë, është skuadra vendase që do ta gjejë golin, por vetëm në minutën e parë shtesë, teksa një veprim i bukur i Cankës e çon topin në rrjetën e portës dinamovite.

Pjesa e dytë do të shohë Lushnjën ta mbizotërojë lojën, duke e synuar portën kundërshtare, por pa e gjetur dot golin e dytë. Dhe, përkundër rrjedhës së lojës, është Prodani që do të godasë befasisht në kufijtë e zonës dhe do të mposhtë portierin Kaloshi, duke përshëndetur rrjetën dhe duke barazuar shifrat në minutën e 81-të.

Por Lushnja nuk dorëzohet dhe, 4 minuta më pas fiton një 11-metërsh. Por Canka do të gabojë në të dyja goditjet, teksa e para, që është pritur nga portieri dinamovit, do të përsëritet për futje para kohe të lojtarëve miq në zonë, ndërsa në provën e dytë, do ta dërgojë topin jashtë. Sidoqoftë, në minutën e parafundit të kohës së rregullt, Canka korrigjon shënjestrën dhe gjen më në fund golin e dytë të tij në këtë sfidë.

Lushnja do ta mbrojë deri në fund fitoren me shifrat 2-1, duke mbajtur gjallë shpresat për të shmangur “play-out”-in, ndërsa, përtej humbjes, Dinamo do të sigurojë edhe matematikisht vendin e dytë dhe rikthimin në Kategorinë Superiore sezonin e ardhshëm, ashtu sikundër ka bërë edhe Skënderbeu, që fitoi 4-0 në Cërrik ndaj Turbinës vendase.

Korçarët kanë 48 pikë, të ndjekur nga kryeqytetasit me 44, por që kanë një 3-pikësh të sigurt falë fitores “aforfe” ndaj Tërbunit javën e ardhshme, dhe nuk arrihen dot matematikisht nga Flamurtari i vendit të 3-të, që u mund minimalisht të dielën në Vlorë nga Tomori dhe tashmë shpresat i ka tek “play-off”-i për të siguruar Superioren.

Në sfidat e tjera të së dielës, Oriku fitoi 1-0 në fushën e Besës, Apolonia mundi 3-1 Besëlidhjen, ndërsa derbi i qarkut, Korabi-Burreli u mbyll me rrjeta të paprekura.