Veprimtaria e dytë e volejbollit të femrave në vend, Kupa e Shqipërisë, ka luajtur të mërkurën dy takimet e para të gjysmëfinaleve, duke përvijuar edhe dy skuadrat që do të përballen me njëra-tjetrën në finale për trofeun e madh. Dhe këto dy skuadra me shumë gjasa do të jenë Tirana dhe Skënderbeu, teksa dy rivalet mposhtën në takimet e para të gjysmëfinaleve përkatësisht Pogradecin dhe Partizanin. Në ndeshjen e luajtur më herët të mërkurën, Tirana e ka mbyllur gjithçka në 3 sete ndaj liqenoreve, teksa e ka fituar setin e parë dhe atë të 3-të me të njëjtat shifra, 25-16, ndërsa atë të dytin 25-21.
Ndërkaq, më vonë, në takimin e luajtur në Sallën Sportive “Feti Borova” në Parkun Olimpik të Tiranës dhe të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, dhe pamje të së cilës na sjell kjo kronikë, janë dashur të luhen 5 sete për të përcaktuar fituesen midis Partizanit dhe Skënderbeut. Është skuadra kryeqytetase që e fiton setin e parë me shifrat 25-23, por korçaret e trajnerit Orlando Koja kundërpërgjigjen, duke e fituar setin e dytë 25-22 dhe atë të 3-tin 25-23 dhe duke përmbysur kështu gjendjen e seteve në favor të tyre.
Sidoqoftë, Partizani i trajneres Amarilda Prenga kundërpërgjigjet dhe e fiton setin e 4-t 25-21, duke e çuar kështu gjithçka në setin e 5-të dhe të fundit. Aty ku janë korçaret që mbizotërojnë, duke e fituar atë 15-8 dhe gjithë ndeshjen 3-2 me sete e duke hedhur kështu një hap drejt vendit në finalen e madhe për trofeun e Kupës. Ndeshjet e kthimit të gjysmëfinaleve luhen pas një jave dhe Tirana pret në kryeqytet Pogradecin, ndërsa Partizani është mysafir në Korçë për t’u ndeshur me Skënderbeun.
POGRADECI - TIRANA 0-3
16 / 25
21 / 25
16 / 25
PARTIZANI - SKENDERBEU 2-3
25 / 23
22 / 25
23 / 25
25 / 21
8 / 15