Skënderbeu, i ardhur në Superiore si kampion i Kategorisë së Parë, nuk mund të kthehet andej nga ka ardhur në përfundim të 36 javëve. Mbijetesa nuk është siguruar plotësisht, pasi mund të luajë në play-out, megjithatë më pranë ka zonën e titullit se sa vendin e tetë.
Me 44 pikë pas 32 ndeshjeve, Skënderbeu gjendet mes dy fronteve me objektiva diametralisht të kundërt: lufta për titull dhe lufta për mbijetesë. Në një renditje të ngjeshur, çdo humbje apo fitore mund të sjellë zhvendosje masive në renditje, megjithatë skuadra korçare e ka arritur tashmë një pjesë të objektivit kryesor, të deklaruar në fillim të sezonit, atë të mbijetesës në Kategorinë Superiore.
Me katër ndeshje për të luajtur e me 13 pikë më tepër se Erzeni i vendit të parafundit, Skënderbeu është i paarritshëm nga skuadra shijakase. Sigurisht që nuk ka shpëtuar ende, pasi mund të kapërcehet nga Teuta e vendit të tetë dhe Laçi, çka do ta çonte në play out me një skuadër të Kategorisë së Parë, por e sigurt është që nuk mund të bjerë nga kategoria në përfundim të 36 javëve të kampionatit.
Ky është vetëm objektivi i deklaruar dhe minimal, pasi korçarët mund të ëndërrojnë për shumë më tepër dhe me plot të drejtë, pasi janë vetëm dy pikë poshtë Tiranës që mban vendin e katërt, pra më afër zonës së titullit se sa zonës së ftohtë. Aspak keq për skuadrën që erdhi në Kategorinë Superiore si kampione e Kategorisë së Parë.