RTSH Sport Live

Smolling nuk preferohet, shans për Kumbullën

  • 26/07/2021
  • |
  • Itali
Smolling nuk preferohet, shans për Kumbullën
Tekniku Murinjo pritet të largojë nga skuadra mbrojtësin anglez

Gati dy javë pas startit të përgatitjeve, formacioni i Hose Murinjos ka nisur të skicohet, dhe bashkë me të edhe lojtarët që nuk bëjnë pjesë në planet e portugezit tek Roma.

Sipas mediave italiane, ish-tekniku i Totenham po mendon të largojë nga skuadra mbrojtësin Kris Smolling, pikërisht benjamini i ish-trajnerit Fonseka, i cili këmbënguli jo pak në blerjen e lojtarit pas përfundimit të huazimit nga Junajtid.

Tashmë me Murinjon në stol 31-vjeçari nuk shihet më si titullar i padiskutueshëm, pasi në sytë e portugezit po gjen gjithnjë e më tepër hapësirë mbrojtësi shqiptar, Marash Kumbulla.

Ky i fundit shënoi edhe një gol në një prej takimeve përgatitoter, të cilat Roma i ka fituar me goleadë.

Me largimin e mundshëm të Smolling, destinacioni mbetet rikthimi në Premier League, ku janë të shumta klubet e interesuara.

Kjo lëvizje në merkato vjen si dhuratë për Kumbullën, i cili tashmë do të duhet të rivalizojë me emra si Ibanjez, Mancini apo veterani Fazio.

Këta janë 4 qendërmbrojtësit që pritet të ketë në dispozicion Murinjo, dhe një i pestë si Smolling shihet i tepërt.