RTSH Sport Live

Sot, “dita e sportit” në RTSH! Nga Shqipëria e futbollit në sallë, tek Barcelona - Sevilja

  • 03/03/2021
  • |
  • Evente Sportive
Sot, “dita e sportit” në RTSH! Nga Shqipëria e futbollit në sallë, tek Barcelona - Sevilja
Në orën 21:00 në RTSH Sport luhet gjysmëfinalja e kthimit të Kupës së Spanjës, ku Mesi me shokë duan të kthejnë humbjen 2-0 të ndeshjes së parë ndaj Seviljes

Në RTSH sot është një ditë sportive… Transmetuesi publik nëpërmjet paketës së tij digjitale ofron për shikuesit një ditë të ngjeshur transmetimesh kombëtare dhe ndërkombëtare dhe shumëllojshmëri sportesh.

Në orën 13.30 në RTSH Sport vjen një nga përballjet më interesante të Kampionatit Shqiptar të futbollit, Kategoria e parë. Flamurtari, që nuk është në ditët e veta më të mira pret Egnatian, ekipin që po kryeson me meritë Grupin B të këtij kampionati.

Një tjetër aktivitet kombëtar që ka nisur dhe që transmetohet nga RTSH Sport është basketbolli. Java e dytë e Kategorisë Superiore në basketbollin e meshkujve vë përballë Tiranën dhe Goga Basket. Të dyja ekipet e kanë nisur me fitore kampionatin dhe sot pritet të jetë një tjetër sfidë interesante në orëm 17.00 në RTSH Sport.

Nga parketi i basketbollit në pallatin e sportit “Feti Borova”, një tjetër studio lëvizëse HD e transmetuesit publik sjell në ekran ekskluzivitetin e radhës… Shqipëria luan ndeshjet kualifikuese për Evropianin e futbollit në salla dhe luan sot përballë Danimarkës. Gjithçka transmetohet në kanalin sportiv, RTSH Sport duke filluar nga ora 19.00.

Ndërkohë që mbrëmja i është rezervuar futbollit elitar dhe Rubrikës Sportive. Në orën 21.00 në RTSH Sport transmetohet gjysmëfinalja e kthimit të Kupës së Spanjës mes Barcelonës dhe Seviljes. Messi me shokë e kanë humbur ndeshjen e parë me rezultatin 2-0, por Barcelona na ka mësuar me përmbysje rezultatesh, prandaj përballja e sotme premton spektakël. Në 20.45 një tjetër ekskluzivitet në një tjetër kanal të platfomës publike… Lejpzig - Ëolfsburg, një prej çerekfinaleve më të luftuara të Kupës së Gjermanisë…

Tifozët e Kampionatit shqiptar të futbollit dhe Kategorisë Superiore mund të zgjedhin të ndjekin kanalin e parë të RTSH, sepse në orën 21.00 transmetohet LIVE, Rubrika Sportive. Java e 22-të dhe ngjarjet që do të prodhojë, do të jenë në vështrimin e të ftuarve të mbrëmjes: Shkëlqim Muça, Fatmir Mëneri dhe Fation Shehut.

Shumë alternativa sportive në një platformë të vetme… #sëbashku