RTSH Sport Live

Stadiumet e Europianit U17

  • 27/09/2023
  • |
  • Evente Sportive
Stadiumet e Europianit U17
 Ja cilat janë 4 impiantet dhe 8 fushat që do të presin evenimentin madhor

Duke iu referuar dosjes së aplikimit, në bazë të së cilës Shqipëria fitoi të drejtën e organizimit të Kampionatit Evropian të Futbollit për Nën-17-vjeçarët, FSHF ka parashikuar që ndeshjet të zhvillohen në stadiumet “Arena Kombëtare”, “Elbasan Arena”, “Loro Boriçi” dhe “Arena Egnatia”. Këto stadiume do të presin ndeshjet e fazës së grupeve, ato gjysmëfinale dhe finalen e madhe. Stadiumi “Arena Kombëtare” është edhe xhevahiri i infrastrukturës sportive në Shqipëri, i përuruar në nëntor të vitit 2019 me një kapacitet prej rreth 22 mijë vendesh dhe i kategorisë 4 të UEFA-s. Një impiant që ofron të gjitha kriteret për të pritur ndeshje të nivelit të lartë, me fushën me bar natyral e që ka të gjitha mjediset e duhura në të gjitha aspektet, qoftë sportive, të sigurisë, apo edhe atë mediatike. Aktualisht pret ndeshjet e ekipeve kombëtare si edhe ndeshje të kampionatit kur luajnë ekipet kryeqytetase.

 Stadiumi “Loro Boriçi” i Shkodrës është rindërtuar nga e para në vitin 2016, fushën me bar natyral dhe ka një kapacitet prej rreth 16 mijë vendesh. Pas “Arenës Kombëtare” është padyshim impianti më i mirë në Shqipëri dhe mund të presë gjithashtu ndeshje të rëndësishme ndërkombëtare, pasi gjithashtu i plotëson të gjitha kriteret. Është një nga veprat më të mira infrastrukturore në veriun e vendit dhe shtëpia e klubit “Vllaznia”.

I treti qoftë edhe për nga rëndësia është “Elbasan Arena”, një tjetër stadium i ndërtuar nga e para në vitin 2015 e që ka pritur ndeshje historike të Kombëtares apo edhe të kampionatit shqiptar. Impianti ka fushë me bar natyral dhe një kapacitet prej afërsisht 13 mijë vendesh. Është nga stadiumet e para në Shqipëri që u rindërtua pas viteve ‘90 duke ofruar kushte moderne e që plotësonte asokohe çdo kriter të UEFA-s.

 Stadiumi i katërt i përfshirë në aplikim është “Egnatia Arena” i Rrogozhinës, i rindërtuar vetëm dy vite më parë me një kapacitet aktualisht prej 2,400 vendesh, fushë me bar natyral, e që ka nevojë për disa ndërhyrje në mënyrë që të plotësojë të gjitha kriteret e kërkuara nga UEFA. Investimet sakaq janë parashikuar që të kryhen së shpejti.

Për pritjen e një veprimtarie të tillë gjithashtu kërkohen 8 qendra stërvitore me fusha me bar natyral, të cilat do të jenë në qarqet Tiranë e Durrës, për arsye të numrit të hoteleve me kushte specifike që kërkohen. Më konkretisht fushat e ofruara për stërvitjen e ekipeve finaliste është ajo e Shtëpisë së Futbollit në kryeqytet, Stadiumi “Selman Stërmasi”, Kompleksi “Skënder Halili”, Stadiumi i Kamzës, Stadiumi “Tofik Jashari” në Shijak, Kompleksi “Tropikal” dhe stadiumi “Niko Dovana” në Durrës dhe stadiumi i Luzit të Vogël.

Të gjitha këto impiante ofrojnë fusha me bar natyral, ndërkohë që në rastin e marrjen së të drejtës për organizimin e një turneu kaq madhor lind dhe detyrimi për të kryer disa investime të rëndësishme shtesë në infrastrukturë. Përveç stadiumeve veçanërisht duhen ndërhyrje në fushave stërvitore ku së bashku me pushtetin qendror dhe atë lokal do të duhet të investohet në disa prej impianteve të sipërpërmendura.