RTSH Sport Live

Starton Turi i Shqipërisë, në Korçë triumfojnë maqedonasit

  • 24/05/2021
  • |
  • Të tjera
Starton Turi i Shqipërisë, në Korçë triumfojnë maqedonasit
Federata Shqiptare e Çiklizmit, mirënjohje për kryeredaktorin e RTSH Sport, Pano Xhixho

Turi i 78-të i Shqipërisë në çiklizëm ka startuar të hënën në mesditë me ceremoninë e zhvilluar në sheshin “Nënë Tereza” të Tiranës. Jo vetëm që janë prezantuar skuadrat, ndërsa janë 13 të tilla, të cilat kanë sjellë 75 çiklistë, por janë nderuar dhe ata që kontribuojnë për zhvillimin e Rrethit Çiklistik të Shqipërisë, apo që ndihmojnë në promovimin e tij.

Dhe një mirënjohje nga Federata Shqiptare e Çiklizmit dhe presidenti i saj Skënder Anxhaku ka ardhur dhe për kryeredaktorin e RTSH Sport, Pano Xhixho, si i vetmi kanal televiziv që transmeton këtë Tur të Shqipërisë. Janë plot katër edicione që kanë ardhur në Radio Televizionin Shqiptar, e cila nëpërmjet trupave të saj, gazetar e kameraman, bëjnë të mundur pasqyrimin e këtij turi për sportdashësit shqiptar.

Etapa e parë ishte Tiranë – Korçë, e cila ishte e gjatë 165 kilometra. Dhe kjo etapë është dominuar nga skuadra maqedonase e Velom Termonalift, ndërsa fitues ishte Gregor Marija Çerne me kohën 4h07’50”. Në vendin e dytë Marko Daniloviç me kohën 4h07’50”, kurse në të tretin Dushan Veselinoviç me kohën 4h11’04”.

Ajo që duhet përshëndetur është gatishmëria e policisë rrugore, e cila ka ndihmuar në mbarëvajtjen e etapës së parë, por dhe të gjithë Turit të Shqipërisë, si dhe ndihma e shpejtë në rast aksidentesh. Tanimë etapa e dytë do të jetë Korçë – Qafa e Qarrit – Elbasan e gjatë 159 kilometra, kurse Turi i 78-të i Shqipërisë përfundon më 28 maj.