RTSH Sport Live

Taulant Stërmasi merr Çmimin “Barleti”

  • 27/09/2022
  • |
  • Sporte të tjera
Taulant Stërmasi merr Çmimin “Barleti”
Trajneri i Kampiones së Europës, Luiza Gega, i akordohet Mirënjohja për rezultatet e larta sportive

Taulant Stërmasi, trajneri i Kampiones së Europës në atletikë, Luiza Gega, është nderuar me titullin “Mirënjohje” nga Universiteti “Marin Barleti”. Një titull që i është dorëzuar nga zv.Rektori i këtij Universiteti, Prof.Dr Artan Shytaj, ndërsa përpara ceremonisë të gjithë kanë vlerësuar kontributin e Stërmasit në atletikën shqiptare. Menjëherë pas ceremonisë, Taulant Stërmasi ka dhënë këtë koment për RTSH Sport.

“Që në momentin që të vjen ky vlerësim – thotë Stërmasi – të kujtohet dita e parë kur ke ardhur në sport dhe ku je sot. Është një udhëtim i gjatë, prej 22 vjetësh që bëj këtë punë, pra të trajnerit. Rezultatet janë ato që të vlerësojnë dhe në fakt i kam patur rezultatet e larta”.

A është kjo Mirënjohje si një punë pendimi e komunitetit të atletikës shqiptare ndaj Taulant Stërmasit, të cilin në fillimet e veta të gjithë e paragjykuan për atë që do të bënte?

“Secili nga ne e tregon veten gjatë rrugës si trajner. Nuk mund të presësh dhe të thuash që në ditën e parë që jam ai që dua të jem. Rezultatet vlerësojnë punën tënde”, shpjegon Stërmasi.

“Me sa kujtoj ishte një person që vinte nga futbolli dhe nga fusha e drejtësisë për më tepër. Dhe është normale që të kenë paragjykime dhe mosbesim në komunitetin e atletikës. Mirëpo ato mosbesime u kapërcyen dhe rezultatet i dhanë të drejtë Taulanti që zgjodhi të bëhej trajner duke sakrifikuar karrierën si jurist”, thotë Artan Shytaj.

Universiteti “Marin Barleti”, nëpërmjet Artan Pogonit, ka bërë dhe një ftesë për Stërmasi për ta patur në rolin e pedagogut. Por vetë Stërmasi thotë se është ende herët për një gjë të tillë.

“Unë jam trajner aktiv. Sidoqoftë unë e vlerësoj shumë si ofertë dhe i falënderoj. Por duke qenë 9 muaj në grumbullim dhe trajner aktiv mendoj se nuk është koha për një gjë të tillë. Ndoshta kur të jem në moshë të thyer dhe kur të kem më tepër eksperiencë për të dhënë do të mund ta bëj, por jo tani”.

Tanimë diskutimi është nëse do të ketë vazhdimësi atletika shqiptare pas Luiza Gegës. Artan Shytaj, ish-president i Federatës Shqiptare të Atletikës, e ka një përgjigje.

“Atletika duhet të prodhojë. Por që të prodhojë duhet të ketë një sistem monitorimi dhe vlerësim, apo dhe mbështetje financiare, sepse vetëm me pasion nuk bëhet. Por besoj se do të ketë vazhdimësi”, ka përfunduar Artan Shytaj.