RTSH Sport Live

Të shtëna me armë dhe kërcënime me vdekje për Di Marian, dy të arrestuar

  • 27/03/2024
  • |
  • Të tjera
Të shtëna me armë dhe kërcënime me vdekje për Di Marian, dy të arrestuar
Janë arrestuar një burrë dhe një grua, të cilët posedonin armë dhe drogë

Policia Federale e Argjentinës ka arrestuar personat që dyshohet se kanë kërcënuar me vdekje familjen e Angel Di Marias në godinën ku ndër të tjera jetojnë edhe prindërit e lojtarit të Benfica-s. Janë arrestuar një burrë dhe një grua, të cilët posedonin armë dhe drogë (135 gramë kokainë). Automjeti i tyre ishte identifikuar tashmë disa ditë më parë duke kryqëzuar pamjet e video survejimit me ato të hetimeve të tjera në vazhdim.

Rasti ka krijuar një ndikim të madh kombëtar sepse ndërthuret me një çështje të sigurisë kombëtare dhe rishfaqjen e fortë të rrjeteve të trafikut të drogës dhe lidhjeve me tifozët e futbollit. Siç raporton A Bola, të hënën e kaluar një makinë hyri në lagjen Funes, 8 kilometra nga Rosario, ku jeton familja e kampionit të botës, duke gjuajtur katër të shtëna në ajër dhe duke lënë një shënim frikësues në të cilin kërcënonte Di Marian se nëse do të kthehej në Rosario Central pas ndërprerjes së kontratës me Benfikën, dikush në familjen e tij do të vdiste.