RTSH Sport Live

Terim kthehet në pankinë, turku drejt stolit të Panathinaikos

  • 26/12/2023
  • |
  • Futboll Bota
Terim kthehet në pankinë, turku drejt stolit të Panathinaikos

Ivan Jovanovic nuk është më trajneri i Panathinaikos. 61-vjeçari serb ka prishur kontratën që e lidhte me klubin grek. Një vendim disi i papritur sepse skuadra nga Athina mban vendin e dytë në renditjen e Superligës greke dhe pozicioni i teknikut Jovanovic nuk ishte në diskutim.

Por tashmë gjithçka është bërë zyrtare dhe pas më shumë se 2 vitesh në krye të stolit të Panathinaikos do të ulet një trajner i ri. Mediat turke janë të sigurta se zëvendësuesi i Jovanovic do të jetë Fatih Terim.

Tekniku i mirënjohur, që më herët ka drejtuar klube si Galatasaray, Fiorentina dhe Milan apo kombëtaren e Turqisë, është aktualisht në Greqi për të firmosur kontratën që e lidh me Panathinaikos deri në 30 qershor të vitit 2025. Terim nuk stërvit një skuadër që nga janari i vitit 2022, kohë kur u largua nga drejtimi i Galatasaray.