RTSH Sport Live

Tërmet tek Juve: Largohet Agnelli, i gjithë bordi ka dhënë dorëheqjen

  • 28/11/2022
  • |
  • Itali
Tërmet tek Juve: Largohet Agnelli, i gjithë bordi ka dhënë dorëheqjen
Presidenti i Juventusit ka paraqitur dorëheqjen, me të edhe Nedved dhe Arrivabene

Bordi drejtues i Juventusit, përfshirë edhe presidentin Andrea Agnelli, kanë dhënë dorëheqjen. Në këshillin e jashtëzakonshëm të klubit të Juventusit të mbajtur në Continassa, numri një i bardhezinjve dha dorëheqjen së bashku me zëvendësin e tij Pavel Nedved, drejtorin ekzekutiv Maurizio Arrivabene dhe anëtarët e tjerë të Bordit. Megjithatë, Bordi i ka kërkuar Maurizio Arrivabene që të mbajë postin e Administratorit të Deleguar.

Përfshirja në hetimin e Prisma-s, e hapur nga Prokuroria Publike e Torinos me akuzën e kontabilitetit të rremë, e kompletuar me mosmarrëveshjet e Consob-it, të cilat e detyruan kompaninë të rishikonte draft pasqyrat financiare duke shtyrë dy herë mbledhjen e aksionerëve, çoi në një hap unanim.

Dorëheqja e bordit drejtues të Juventusit duket se lidhet me zhvillimet e reja në hetimet e prokurorisë së Torinos dhe vendimi, sërish me dënime me kusht, duket se është i ditur tashmë në qarqet gjyqësore.

Në 12 vitet e presidentit Andrea Agnelli, që filloi në maj 2010, Juventus dominoi në Itali gjithashtu duke pushtuar serinë rekord prej nëntë kampionatesh radhazi me Conte, Allegri dhe Sarri në stol dhe duke sjellë kampionë si Pogba, Tevez dhe Cristiano Ronaldo në Itali.