RTSH Sport Live

Teuta, kualifikim me këmbanë alarmi

  • 15/03/2023
  • |
  • Futboll Vendi
Teuta, kualifikim me këmbanë alarmi
U përmbysën nga Kukësi me 10 lojtarë, neglizhencë që Martinin e shqetëson

Nga Kukësi, Teuta doli me një humbje që nuk e ndaloi të merrte kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. 2-1 përballë të besuarve të Hallacit mund të duket edhe normal, por jo nëse rezultati u maturua me avantazhin e durrsakëve dhe me Kukësin që kishte mbetur me 10 lojtarë pas kartonit të kuq të Shqiprim Taipit.

Kjo ishte humbja e parë e Teutës pas tetë rezultatesh pozitive radhazi e sigurisht, duke parë arritjen e objektivit, nuk dhemb. Por nuk do të thotë aspak se Edi Martini nuk është ndjerë i shqetësuar nga një mendjemadhësi apo neglizhencë, që nga mesi i dhjetorit tekniku shkodran kishte arritur ta fshinte nga lojtarët e tij, duke e zëvendësuar me përqendrim.

Punë e përkushtim kanë qenë kryefjalët e Teutës në Martini-bis që solli një seri rezultatësh prej 9 fitoresh 5 barazimesh e vetëm 3 humbjesh në 17 ndeshje mes kampionatit e Kupës. E tani, kur tekniku sheh fantazmat e së kaluarës të rishfaqen, sigurisht që një ndjesi frike duhet ta ketë përshkuar. Jo vetëm që Kukësi ktheu ndeshjen me 10 lojtarë, por në shtesë pretendoi edhe një penallti, panikun e të cilës Teuta duhet tia kishte kursyer vetes.

Me llogari të bëra, Teuta e Martini janë me kartat në rregull: në katër më të mirat e Kupës dhe 4 pikë larg Europës, por sigurisht që kjo është një këmbanë alarmi të cilën Martini nuk mund dhe nuk duhet ta anashkalojë.  E.S.